Komuna e Kamenicës ka njoftuar se buxheti i vitit 2025 ka pësuar rritje, në krahasim me vitin 2024.
Përmes dokumentit (draft-buxheti 2025-2027) të lëshuar në faqen zyrtare të komunës, bëhet e ditur se buxheti komunal për vitin 2025 është ngritur 5.22%, në krahasim nga viti i kaluar.
“Komuna e Kamenicës, për vitin 2025 ka një rritje te buxhetit duke krahasuar me vitin 2024 (758,807.00€) apo shprehur në % 5.22%, ky realitet mundëson të konstatojmë se kjo rritje buxhetore ka rrjedhë si pasojë e rritjes së Grandeve Qeveritare dhe të hyrave komunale”, thuhet në dokumentin e komunës.
Sipas dokumentit, bëhet e ditur se buxheti i vitit 2025 karakterizohet me rritje të shumës buxhetore për grantin qeveritar/ Grandi i shëndetësisë, i shërbimeve sociale rezidenciale dhe të hyrave vetjake.
“Buxheti i vitit 2025 krahasuar me vitin 2024 karakterizohet me rritje të shumës buxhetore për grantin qeveritar/ Grandi i Shëndetësisë, Grandi i Shërbimeve Sociale Rezidenciale/ dhe të hyrave vetjake. Mbështetur në totalin e buxhetit për vitin 2025 rezulton se kemi rritje të vlerës buxhetore krahasuar me vitin 2024 për 5.22 %”, bëhet e ditur tutje në dokument.
Ndryshe, buxheti komunal për Kamenicën, sipas dokumentit, është 15 milionë e 252 mijë e 624 euro. /Telegrafi/