LAJMI I FUNDIT:

Britanikët fituan aq shumë para duke mashtruar me Bitcoin, sa që filluan t’iu dhuronin njerëzve në rrugë nga 6 mijë euro

Britanikët fituan aq shumë para duke mashtruar me Bitcoin, sa që filluan t’iu dhuronin njerëzve në rrugë nga 6 mijë euro

Një bandë mashtruesish të Bitcoin fituan aq shumë para nga një mashtrim në internet, saqë blenë vetura për njerëzit në një pijetore dhe shpërndanë kupona dhuratash prej gjashtë mijë euro në rrugë.

James Parker, nga Blackpool, filloi të orkestronte mashtrimin në vitin 2017 pasi zbuloi një defekt që e lejoi atë të vidhte para nga një ueb-faqe australiane e tregtimit të kriptomonedhave.

Lëvizja i lejoi atij dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kelly Caton dhe Jordan Kane Robinson, të merrnin Bitcoin në vlerë të rreth 25 milionë eurove për një periudhë tre mujore.


Në skemën e tyre mashtruese i ndihmoi edhe këshilltari financiar i Parkerit, Stephen Boys, i cili fitoi pseudonimin “Rodney” nga Only Fools and Horses dhe ndihmoi treshen të pastronte fondet e vjedhura.

Djemtë punuan me një shtetas të Mbretërisë së Bashkuar me bazë në Dubai për të kthyer kriptomonedhën në para. Më pas i pastruan përmes llogarive të ndryshme online, raporton themirror.

Banda e shpenzoi pasurinë në sende luksoze si ora, shtëpi, vetura dhe mallra të ndryshme, duke përfshirë një ftohës vere prej 700 euro, ndërsa mbanin më shumë se 1.2 milion euro në llogari të ndryshme bankare.

Në një moment banda po fitonte aq shumë para sa përfunduan thjesht duke ua dhënë të huajve dhe njerëzve që takonin në pijetore.

Policia ishte në gjendje të rikuperonte 445 Bitcoin – atëherë me vlerë rreth 25 milionë eurove – të cilat tani do t’u kthehen viktimave.

Një zëdhënës i Shërbimit të Prokurorisë së pohoi se “Një sasi shumë e konsiderueshme e aseteve të pastruara janë kthyer ose janë në proces të rikuperimit në emër të shkëmbimit të kriptomonedhave australiane”.

James Parker i shmangu kapjes dhe vdiq para se të dilte para drejtësisë në vitin 2021.

Anëtarët e tjerë të bandës u dënuan me 15 vite burg mes tyre pasi u shpallën fajtorë për mashtrim, konvertim dhe kalim të pasurisë kriminale. /Telegrafi/