LAJMI I FUNDIT:

Biden nga Kievi njoftoi për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, me vlerë prej gjysmë miliardi dollarë

Biden nga Kievi njoftoi për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, me vlerë prej gjysmë miliardi dollarë

Presidenti amerikan Joe Biden gjatë vizitës befasuese dhe të paparalajmëruar në Kiev, ka zbuluar pakon e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën që kap vlerën e gjysmë miliardi dollarë.

Duke iu drejtuar gazetarëve së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se pakoja e re do të jetë pako e ndihmës ushtarake, ku përfshihen municionet artilerike, predha për sistemin raketor HIMARS dhe raketa anti-tank të tipit Javelin, transmeton Telegrafi.


Në fjalimin e tij, Biden foli për qëndrueshmërinë e ushtrisë ukrainase në momentin kur lufta po hyn në vitin e dytë.

“Një vit më vonë, Kievi është ende këtu. Ukraina është ende këtu. Demokracia është ende këtu”, shtoi Biden para gazetarëve.

Presidenti amerikan u takua me presidentin ukrainas Zelensky dhe bashkëshorten e tij Olena Zelensky, në rezidencën presidenciale në kryeqytetin e Ukrainës.

Ky udhëtim ishte mbajtur i fshehtë deri në momentin kur presidenti amerikan u shfaq rrugëve të Kievit, i shoqëruar nga homologu ukrainas Volodymyr Zelensky. /Telegrafi/