Berisha: Rrugët nacionale me pagesë

Duke iu drejtuar ministrit të Transporteve Sokol Olldashi, kryeministri tha se “ky vend nuk ka kapacitete publike për mirëmbajtjen e tij”. “Unë e di se ju keni kontaktuar dhe ministria juaj po punon me IFC-në, për ta dhënë për menaxhim sa më shpejt", tha ai.
Kryeministri vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme që ky proces të ecë, ndërsa shtoi se duhen marrë në konsideratë edhe akse të tjera rrugore.
“Sapo të përfundojë segmenti Shkëmbi i Kavajës-Rrogozhinë, atëherë dhe autostradat Tiranë-Fier, Tiranë-Durrës, të shqyrtohen, të jepen për menaxhim. Këto janë vepra të mëdha. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk disponon kapacitetet njerëzore dhe materiale për mirëmbajtjen e tyre. Mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i ndërlikuar. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Evropës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ua japin kompanive të mëdha për t'i mirëmbajtur", tha zoti Berisha. /Telegrafi/




















































