Bellingham rikthehet nga lëndimi pas tetë javëve mungesë
Jude Bellingham ka dhënë lajmin që tifozët e Real Madridit prisnin prej kohësh.
Pas plot tetë javësh rikuperim nga një operacion në shpatull, mesfushori anglez është rikthyer sërish në fushë.
“8 javë… përsëri në fushë me vëllezërit e mi!”, shkroi Bellingham në një postim në Instagram, duke shpërndarë gëzimin e tij me ndjekësit.
Ylli i Real Madridit është stërvitur normalisht me skuadrën gjatë javës së fundit, megjithëse stafi teknik po menaxhon me kujdes ngarkesën e tij për të shmangur komplikime të reja. Ai përfundoi të gjithë seancën stërvitore të së martës, teksa “Los Blancos” po përgatiten për rikthimin në La Liga këtë fundjavë.

Sipas mediumeve spanjollet, rikthimi i plotë i Bellingham në fushë nuk do të nxitohet. Real Madridi synon ta ketë atë plotësisht gati drejt fundit të shtatorit ose në fillim të tetorit.
Bellingham mbetet një nga asetet më të mëdha të skuadrës madrilene falë fuqisë fizike, kreativitetit dhe aftësisë për të shënuar gola vendimtarë. /Telegrafi/






























