LAJMI I FUNDIT:

Bashkimi Evropian nuk merr në konsideratë letrën e Ivanovit (Video)

Bashkimi Evropian nuk merr në konsideratë letrën e Ivanovit (Video)

Bashkimi Evropian nuk merr në konsideratë letrën e presidentit Ivanov dhe nuk i ndryshon asnjë presje qëndrimit të shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogerini. Në përgjigjen drejtuar televizionit Alsat lidhur me komentimin e letrës së kreut të shtetit që kërkonte dënimin dhe hedhjen poshtë të platformës shqiptare nga Brukseli, zëdhënësja Maja Kocijançiq tha se mesazhet e dërguara një javë më parë nga Mogerini ishte të qarta dhe është presidenti ai që duhet ta rishqyrtojë vendimin e tij.

“Jemi në dijeni të letrës së presidentit Ivanov. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë presidentit, të respektojë rezultatin zgjedhor, të veprojë në përputhje me Kushtetutën, të respektojë shumicën e qartë parlamentare, të lejojë procesin demokratik të rrjedh. Kështu, i bëjmë thirrje presidentit që ai të rishqyrtojë qëndrimin e tij aktual dhe të mundësojë formimin e qeverisë së re”, deklaroi Maja Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së.

Bashkimi Evropian komentoi tërthorazi edhe platformën shqiptare. Ky dokument, sipas Brukselit, si pjesë e mundshme e programit qeveritar duhet të jetë në përputhje me kushtetutën.


“Sikurse kemi theksuar disa herë, nuk do të spekulojmë ose komentojmë mbi ndonjë program qeveritar specifik i cili duhet sigurisht të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit. Por ne presim formim të shpejtë të qeverisë së re e cila duhet të jetë e angazhuar në implementimin e reformave të prapambetura”, tha Kocijançiq./Telegrafi/

Ivanov kërkon ndihmë nga BE, NATO, SHBA dhe Erdogan që të hidhet poshtë Deklarata shqiptare
Lexo po ashtu Ivanov kërkon ndihmë nga BE, NATO, SHBA dhe Erdogan që të hidhet poshtë Deklarata shqiptare