Arne Slot i është përgjigjur portierit Caoimhin Kelleher, pasi ky i fundit tha se dëshiron që të largohet nga Liverpooli dhe të jetë zgjedhja e parë e portës diku tjetër.
Reprezentuesi i Irlandës ka thënë se ai e kishte ‘bërë të qartë gjatë viteve të fundit’ se ai dëshiron t’i bashkohet një klubi tjetër dhe të jetë numri një i portës.
Kelleher gjithashtu kishte zbuluar se Liverpooli ka refuzuar disa oferta që kishin ardhur për të, me Nottingham Forest që raportohej se kishte bërë një ofertë në verë, duke u ankuar për faktin se klubi ka vendosur të shkojë në një drejtim tjetër duke transferuar Giorgi Mamardashvilin.
Kësaj deklarate të Kelleher i është përgjigjur tani trajneri Arne Slot, i cili ka thënë se është një sinjal pozitiv fakti që Kelleher dëshiron të luajë çdo javë, megjithëse ka konfirmuar se Alisson mbetet zgjedhja e parë e portës.
“Do të isha me të vërtetë i shqetësuar nëse një lojtar del dhe thotë se nuk më intereson që të luajë nga fillimi”.
“Është normale që ata duan të luajnë dhe është gjithashtu normale për një klub të tillë që të ketë më shumë se 11 lojtarë që duan të luajnë”.
“Është një vend i mirë dhe ai tashmë e ka dëshmuar disa herë se është i gatshëm sa herë që kemi nevojë për të”.
“Është një sinjal pozitiv se ai dëshiron të luajë. Kush e di nëse ai do të luajë për ne në të ardhmen, por është mjaft e qartë se Alisson është numri një për momentin”, ka thënë Slot para takimit me Nottingham Forest./Telegrafi/