Azhurnimi i softuerit të ri nga Apple do t’ju lejoj qasjen në iPhone-n tuaj duke përdorur “Face ID” edhe nëse keni bartur maskën – por vetëm nëse keni një Apple Watch.
Kjo sepse iPhone do të duhet të komunikojë me Watch-in tuaj për të verifikuar që jeni vetë ju, meqenëse nuk mund të detektojë fytyrën tuaj.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, në rast se e keni afër pajisjen Apple Watch dhe është i shkyçur, iPhone i juaj do të zhbllokohet gjithashtu.
Për t’i aplikuar ndryshimet në telefonin tuaj për të mundësuar funksionin e ri të epokës pandemike, së pari duhet ta azhurnoni pajisjen tuaj për të ekzekutuar iOS 14.5, i cili u bë i disponueshëm të hënën.
Pasi ta keni azhurnuar pajisjen, drejtojuni tek “Face ID & Passcode”, dhe më pas zbatoni “Unlock with Apple Watch”. /Telegrafi/