Site icon Telegrafi

Amvisëria – ndotësi më i madh i ajrit në Kosovë

Amvisëria ndjekur nga industria dhe transporti janë ndotësit kryesorë në Kosovë.

Kështu njofton Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) duke shtuar se ndotja kryesore është e përqendruar në zonat urbane dhe përgjatë rrugëve kryesore.

“Ndotja kryesore dhe e vërejtshme në Kosovë, e shkaktuar nga grimcat ndotëse PM10 dhe PM2.5, vjen nga burimet e djegieve të vogla, kryesisht nga ngrohja në amvisëri. Në anën tjetër, industria dhe transporti janë burimet më të mëdha të ndotjes me NOx, ndërsa industria dhe termocentralet dominojnë në ndotjen me SO2”, thuhet në njoftim.

“Ndotja kryesore është e përqendruar në zonat urbane dhe përgjatë rrugëve kryesore”, përfundon AMMK-ja.

Gjatë muajve të dimrit, nivelet e PM në Kosovë sipas AMMK-së priren të jenë më të larta për shkak të djegies së thëngjillit, drurit dhe biomasës tjetër për ngrohje dhe për prodhim të energjisë.

Ekspozimi afatshkurtër ndaj PM-ve mund të shkaktojë acarim të syve, hundës dhe fytit dhe të përkeqësojë gjendjen ekzistuese të frymëmarrjes dhe sistemeve kardiovaskulare, derisa ai afatgjatë shoqërohet me rrezik të shtuar të kancerit të mushkërive, sëmundjeve të zemrës dhe sulm në tru. /Telegrafi/

Exit mobile version