Zyrtare: Anthony Gordon, lojtari më i ri i Barcelonës
Barcelona ka konfirmuar transferimin e sulmuesit të Newcastle United dhe kombëtares së Anglisë, Anthony Gordon, për një shumë të raportuar prej 80 milionë eurosh, me një kontratë pesëvjeçare.
Gordon ka tërhequr vëmendjen që prej transferimit te Newcastle nga Evertoni në vitin 2023 dhe së fundmi zhvilloi një sezon shumë produktiv në garat evropiane, duke regjistruar 10 gola dhe dy asistime në Ligën e Kampionëve
Forma e tij në Ligën Premier nuk arriti të njëjtin nivel, pasi 25-vjeçari shënoi vetëm gjashtë gola gjatë sezonit 2025/26, por periudha e tij te ‘St James’ Park’ në përgjithësi konsiderohet shumë e suksesshme, me 39 gola dhe 28 asistime në 152 paraqitje.
Anësori ishte një pjesë kyçe e periudhës së madhe të zhvillimit të Newcastle, duke luajtur rol vendimtar në kualifikimin e klubit dy herë në Ligën e Kampionëve dhe në fitimin e EFL Cup, trofeu i parë i klubit pas më shumë se 50 vitesh.
A new force joins our rhythm.
Anthony Gordon is culer 💙❤️ pic.twitter.com/v5UefCfUme
— FC Barcelona (@FCBarcelona) May 29, 2026
Reprezentuesi anglez pritet të marrë pjesë në Kupën e Botës këtë verë dhe sigurisht do të jetë i kënaqur që çdo spekulim rreth të ardhmes së tij është mbyllur para fillimit të turneut.
Ndërkohë, bashkëlojtari i tij te Anglia, Marcus Rashford, kishte kaluar sezonin e fundit në huazim te Barcelona, por tani duket se ka dyshime nëse transferimi i tij i përkohshëm do të bëhet përfundimisht i përhershëm./Telegrafi/


