Zjarri në Halkidiki, MPJ: Ndiqni me kujdes udhëzimet e autoriteteve
Zjarri që sot shpërtheu në Halkidiki shkaktoi evakuimin e turistëve dhe banorëve nga zonat e prekura, ndërsa në mesin e personave që kërkuan informacione dhe ndihmë janë edhe shtetas maqedonas.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informojnë se në përfaqësinë diplomatike-konsullore në Selanik, përmes telefonit, janë drejtuar shtetas maqedonas që ndodhen në zonat e prekura. Qytetarëve u janë përcjellë udhëzimet dhe rekomandimet e lëshuara nga autoritetet kompetente greke.
Megjithatë, deri tani nuk ka informacion zyrtar se sa shtetas maqedonas janë evakuuar nga zonat e përfshira nga zjarri. Nga Ministria thonë se ende nuk kanë marrë të dhëna nga institucionet greke për numrin e qytetarëve maqedonas të evakuuar.
Zjarri goditi veçanërisht zonën turistike Siviri, në Kassandra, ku flakët iu afruan shtëpive dhe objekteve turistike. Për shkak të rrezikut, një pjesë e turistëve dhe banorëve u evakuuan si në rrugë tokësore, ashtu edhe përmes detit.
Sipas informacioneve të Reuters, më shumë se 300 persona u evakuuan me varka nga Siviri. Në operacion morën pjesë Roja Bregdetare greke, varka zjarrfikëse dhe patrulluese, si dhe mjete private lundruese.
Në terren u angazhuan më shumë se 140 zjarrfikës, me nëntë avionë dhe shtatë helikopterë. Erërat e forta e vështirësuan edhe më shumë shuarjen e zjarrit dhe kontribuuan në përhapjen e shpejtë të flakëve. Një zjarrfikës është lënduar.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se përmes përfaqësisë diplomatike-konsullore në Selanik po e ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.
Ministria u bën apel shtetasve maqedonas që aktualisht ndodhen në zonat e prekura të Halkidikit që ta ndjekin situatën dhe t’i respektojnë në mënyrë të plotë udhëzimet e autoriteteve lokale.
Për informacione shtesë dhe ndihmë urgjente, Ministria ka publikuar numrat e telefonit të kujdestarisë së Ministrisë dhe numrat e Konsullatës në Selanik: +389 75 268 736, +30 694 526 8068 dhe +389 71 323 001.
Për momentin mbetet e paqartë se sa turistë maqedonas janë prekur drejtpërdrejt nga evakuimet.


