Zhjeqi: Faleminderit dhe lamtumirë!
Zhjeqi ishte një ndër futbollistët më cilësor i dal nga futbolli i Kosovës në vitet e pasluftës, ndërkohë që la gjurmë në disa skuadra kosovare. Shpeshherë, aty ku ishte Zhjeqi, nuk mungonin as titujt. Arbeni e nisi karrierën në moshë të re te skuadra e Flamurtarit. Luajti edhe për Besëlidhjen e Prishtinës, Prishtinën, Trepçën dhe së fundmi Hajvalinë. Ishte pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës.
Ai kujton disa fakte të cilat nuk do t’i harrojë kurrë, gjatë një interviste për Gazetaolle.com. “Nuk do ta harrojë momentin kur me skuadrën e Prishtinës u shpallëm kampion, isha në 11-shen e parë, isha ndër lojtarët më të rinj”, ka thënë Arben Zhjeqi. “Nuk do ta harrojë kurrë edhe një moment interesant. Në një ndeshje ndaj Gjilanit, ku vetëm më një barazim, Gjilani e fitonte titullin. Në atë kohë Gjilani kishte lojtarë me emër si Muharrem Sahiti, Synaj Keçi, Halim Hodaj e të tjerë. Prishtina fitoi 1:0 dhe u shpall kampione”, shtoi ai.
Arbeni i ka fituar tre tituj kampioni me Prishtinën dhe një me Trepçën. Dy Kupa të Kosovës, (një me Prishtinën dhe një me Trepçën), si dhe dy herë e ka shijuar trofeun e Superkupës.
U ftua nga Kombëtarja e Shqipërisë
‘Meraku’ i Arben Zhjeqit mbetet Kombëtarja e Shqipërisë. “Në kohën sa përzgjedhës ishte Otto Bariq, më pati ftuar në një takim në Tiranë dhe pati shfaqur dëshirë që të jem në Kombëtare, mirëpo në atë kohë u lëndova, i këputa ligamentet e gjurit dhe më nuk u ftova. Kisha shumë dëshirë të luaja për Shqipërinë. Një gjë tjetër që me mbetet merak, është edhe fakti që nuk kam arritur të luaj askund në Evropë. Nuk kam pasur fat”, kujton Zhjeqi.
Gjithsesi, ai thotë se ia ka parë ‘hajrin’ futbollit. “Futbolli të dhuron kënaqësi, të krijon shumë shoqëri. Ia kam parë ‘hajrin’. Karrierën time i’a dedikoj familjes e cila më ka përkrahur në çdo moment, edhe kur kam qenë në top-formë edhe kur kam kaluar lëndime. Për fund, dua ti’ falënderojë familjen, shoqërinë, klubet ku kam luajtur, të gjithë trajnerët më të cilët kam stërvitur dhe tifozët”, përfundoi Arben Zhjeqi.
Kujtojmë se Arbeni e ka lënë fushën, por jo edhe futbollin pasi që tash e disa ditë është duke e kryer detyrën e drejtorit sportiv te skuadra e Vushtrrisë.


