Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK, reagon Ambasada Gjermane
Ambasada Gjermane në Shqipëri ka reaguar pas zgjedhjes së Klodjan Brahos si drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke shprehur urime dhe mbështetje të plotë për institucionin.
Në deklaratën zyrtare, Ambasada e cilëson luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si thelbësore për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një proces të cilin Gjermania e mbështet fuqishëm.
“Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodjan Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është me rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE,” thuhet në reagim.
Ambasada thekson se për SPAK-un mbeten parësore integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës, ndërsa uron Brahon dhe të gjithë trupën e SPAK-ut për detyrën ambicioze që kanë përpara.
“I uroj shumë sukses Klodjan Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare”, vijon deklarata.
Po ashtu, Ambasada Gjermane shpreh mirënjohje për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke e vlerësuar procesin e zgjedhjes si transparent dhe në shërbim të forcimit të drejtësisë në Shqipëri.


