Please enter at least 3 characters.

Zbulohet municion i padeklaruar në bagazhin e një udhëtari në Aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve rutinë të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në fluturimin Hamburg – Prishtinë, ka ndaluar për kontroll një udhëtar i cili kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë skanimit të bagazhit të tij, zyrtari doganor ka identifikuar elemente të dyshimta që mund të përbënin mall të ndaluar. Si rezultat, është kryer kontroll fizik i valixhes, ku janë gjetur 11 copë fishekë për armë.

"Menjëherë pas konstatimit të rastit, është njoftuar Policia e Kosovës në Aeroportin e Prishtinës, e cila ka ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore dhe ka konfiskuar municionin e gjetur", thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve, duke parandaluar hyrjen e paligjshme të mallrave të ndaluara në territorin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/