Ylli i serialit “That ’70s Show” njofton vdekjen e papritur të vëllait në moshën 48-vjeçare
Laura Prepon ka bërë të ditur se vëllai i saj, Brad, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të zemrës.
Aktorja 46-vjeçare e bëri të ditur lajmin e trishtë në profilin e saj në Instagram të mërkurën, duke ndarë edhe një sërë fotografish të vëllait të ndjerë.
"Fundjavën që lamë pas, i dhamë lamtumirën e fundit vëllait tim," shkroi Prepon, e njohur për rolin e Donna Pinciotti në serialet That '70s Show dhe That '90s Show. "Ai ndërroi jetë papritur si pasojë e një sëmundjeje të panjohur të zemrës. Ishte një tronditje shkatërruese."
Aktorja, e cila ka luajtur gjithashtu në serialin Orange Is the New Black, vijoi:
"Për ata prej jush që e njihnit Bradin, jam e lumtur që ai preku jetën tuaj. Për ata që nuk e njohën, ne humbëm një njeri unik, të mrekullueshëm dhe të pazëvendësueshëm."
Ajo shtoi:
"Do të më mungojë vëllai im çdo ditë dhe do ta mbaj gjithmonë në zemrën time."
Në fund të mesazhit të saj, Prepon shkroi:
"Nëse ndieni se diçka nuk shkon me shëndetin tuaj, dëgjojeni instinktin dhe bëni një kontroll mjekësor. Përqafoni njerëzit që doni".
Sipas një njoftimi online për vdekjen e Bradit, ai "ndërroi jetë papritur të mërkurën, më 15 korrik 2026, në Orange County, Kaliforni", ndërsa ceremonia e varrimit u mbajt të shtunën e kaluar në New Jersey.
"Bradi e vlerësonte shumë kohën e kaluar me familjen," thuhej në njoftim. "Ai i donte traditat e festave familjare, kohën me motrat e tij dhe miqtë."
"Në veçanti, ai shijonte atmosferën e një mbrëmjeje në qytet dhe i pëlqenin ushqimi i mirë, muzika e mirë dhe festat argëtuese," përfundonte njoftimi.


