Please enter at least 3 characters.

Ylli i Man Utd po kërkon largimin nga klubi – ai tashmë ka zgjedhur destinacionin e tij të radhës

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Joshua Zirkzee, po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit nga “Old Trafford”, pasi periudha e tij në Angli nuk ka shkuar sipas pritshmërive.

25-vjeçari raportohet se dëshiron të rikthehet në Serie A, ligën ku u bë i njohur gjatë periudhës së tij me Bolognën. Sipas raportimeve nga Italia, Zirkzee ka më shumë se një destinacion të mundshëm, por preferenca e tij kryesore është Juventusi.

“Holandezi është i etur të rikthehet në Itali dhe ka një linjë direkte komunikimi me drejtuesit e Juventusit”, shkruan Corriere dello Sport.

Manchester United thuhet se është i hapur për ta huazuar sulmuesin dhe tashmë po shqyrton alternativat në repartin ofensiv.

Bisedimet mes Juventusit dhe klubit anglez kanë përfshirë një huazim me të drejtë blerjeje, ndërsa palët kanë diskutuar edhe mundësinë e një detyrimi për blerje në fund të huazimit.

Raportohet se marrëdhëniet mes dy klubeve janë të mira dhe një marrëveshje mund të arrihet nëse plotësohen kushtet financiare.

Zirkzee gjithashtu është monitoruar nga Napoli, por dëshira e tij është të transferohet te Juventusi dhe tashmë është në pritje të vendimit përfundimtar nga gjiganti italian.

Dëshira e holandezit për t’u rikthyer në Torino lidhet edhe me situatën e sulmit të Juventusit.

Klubi italian mund të lejojë largimin e sulmuesit kanadez Jonathan David, vetëm një vit pas transferimit të tij në Serie A.

Zirkzee, i formuar te akademia e Bayern Munichut, pati një periudhë të shkurtër huazimi në Serie A përpara se të kalonte dy vite te Bologna, ku bëri emër dhe tërhoqi vëmendjen e Manchester Unitedit./Telegrafi/