Please enter at least 3 characters.

Ylli i madh që po shkëlqen te Barcelona, drejt blerjes përfundimtare

Barcelona po shpreh kënaqësinë e saj për performancën e Marcus Rashford që nga momenti kur vendosi ta sjellë nga Manchester United, një klub ku futbollisti po rrezikonte të humbiste ritmin e karrierës.

Sulmuesi anglez ka treguar që mund të prodhojë rezultate me konsistencë, dhe shuma prej 30 milionë eurosh për transferimin e tij në qershor duket e përballueshme për klubin katalanas.

Në kushtet aktuale ekonomike, Barcelona shpesh është e detyruar të përdorë formula kreative për të sjellë lojtarë që përmirësojnë ekipin, dhe kështu ndodhi edhe me Rashford, i cili duhej të gjente një destinacion tjetër për të mos kaluar një sezon të tërë në stol tek Manchester United, nën drejtimin e Ruben Amorim.

Edhe pse Rashford ishte më efektiv në pjesën e parë të sezonit sesa në mes të kampionatit, performanca e tij ka justifikuar plotësisht blerjen eventuale në qershor.

Sipas “AS”, shuma prej 30 milionë eurosh për ta bërë transferimin përhershëm është e përballueshme, duke marrë parasysh se Rashford tashmë ka dëshmuar aftësitë e tij nën drejtimin e Hansi Flick dhe është një alternativë e vlefshme për sulmin e parë të Barcelonës.

Pritet që Rashford të marrë më shumë hapësirë në pjesën finale të sezonit dhe të kontribuojë në golat dhe asistimet e ekipit.

Nëse Raphinha dhe Lamine Yamal janë të gatshëm, ata do të vazhdojnë të jenë titullarë në ndeshjet kyçe, por Rashford duhet të jetë gati për të zëvendësuar pa ndikim në performancën e ekipit.

Michael Carrick ende nuk ka bërë një deklaratë publike për Rashford, dhe nuk përjashtohet mundësia që ish-mesfushori i njohur të ketë interes për ta rikthyer futbollistin në Old Trafford.

Megjithatë, Rashford duket i kënaqur në Barcelonë dhe nuk ka arsye të ndryshojë ambientin pa nevojë. /Telegrafi/