Please enter at least 3 characters.

Yll Kaçaniku shqyrton ofertat nga Kosova

2016/01/yll-ka-ccedil-aniku-shqyrton-ofertat-nga-kosova_hd.jpg

30-vjeçari ka mbi një dekadë që bën karrierë në Turqi. Në edicionin e fundit ishte pjesë e skuadrës Ushak Sportif me të cilën pos në Superligën turke luajti edhe në EuroChallenge.

Kaçaniku që luan si lojtar krahu, nuk ka më kontratë me këtë skuadër dhe është në pritje të sfidave të reja. Ka oferta nga Turqia, por nuk e përjashton mundësinë që të luajë në Kosovë, nëse merr ofertën e duhur.

“Nuk do të vazhdoj me Ushakun. Kam disa oferta, por ende nuk kam vendosur. Pas pranimit të Kosovës në FIBA mund të shqyrtoj ofertat që eventualisht mund të vijnë nga klubet kosovare. Aktualisht nuk kam ndonjë kontakt apo ofertë nga klubet kosovare. E përsëris që pas pranimit në FIBA jam më pozitiv për ofertat që vijnë nga Kosova. Përndryshe ofertat nga Turqia nuk më mungojnë”, ka thënë Kaçaniku, transmeton koha.net.

Ai në Turqi njihet me emrin Ulug. Është rritur si lojtar te skuadra e njohur Tofash, Ka luajtur më pas edhe për Antalyan, Mersinin, Darushafakën, Pamukkalen dhe Karshiyakan. Ka luajtur kryesisht në Superligë, por kishte periudha edhe në kategorinë e dytë turke. Në edicionin 2014/15 në kampionatin e Turqisë luajti 26 ndeshje. Mesatarisht luajti nga 8 minuta për lojë, ndërsa shënoi nga afro dy pikë për ndeshje. Në EuroChallenge kishte mesatarisht mbi dhjetë minuta për takim, ndërsa shënoi 2,3 pikë mesatarisht.

Në të vërtetë, Kaçaniku ka kaluar dy periudha nga gjashtë muaj te Sigal Prishtina. Vlerësohet se gjasat më të mëdha që të luajë në Kosovë janë pikërisht të Prishtinës. Prishtina në edicionin e kaluar është përballur me mungesë të lojtarëve cilësorë vendorë, ndërsa situata është bërë edhe më e rëndë pas largimit të Dardan Berishës për te Cibona. Prishtina ka pretendime të mëdha për edicionin e ardhshëm, por drejtuesit e klubit kanë pranuar se përballen me mungesë të lojtarëve cilësorë vendorë në treg.

Kaçaniku ka dhjetëra paraqitje për grupmoshat e reja të Turqisë. Është grumbulluar edhe me përfaqësuesen A të Turqisë, ndërsa ka luajtur edhe për Kosovën.