Please enter at least 3 characters.

Vonohen pagat për punëtorët e KRM “Pastrimi” në Lipjan

Punonjës të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” në Lipjan, janë ankuar se gjatë muajve të fundit kanë nisur të vonohen pagat shkaku i telasheve financiare brenda kompanisë.

Një nga punonjësit e kësaj kompanie me kusht që mos t’i publikohet emri, por që identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, i ka thënë Telegrafit se pagat po vonohen dhe askush nuk po u jep përgjegjësi.

“Pagat po vonohen deri në një muaj, nganjëherë më pak. Kohëve të fundit kjo është bërë e zakonshme, por është shumë shqetësuese sepse ne mbajmë familje me këtë pagë dhe ajo nuk duhet të vonohet asnjë ditë. Ne kërkojmë që pagat mos të vonohen sepse punën po e kryejmë me përgjegjësi secili prej nesh. Neve nuk na interesojnë telashet financiare që i ka kompania, ato duhet t’i zgjidhin menaxhmenti dhe të krijojnë politika për rritjen e inkasimit të të hyrave”, ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin e kësaj kompanie në Lipjan, Xhelal Krasniqi, i cili nëpërmjet një mesazhi ka thënë shkurt se telashe kanë pasur me pagat e muajit prill.

“Sa i përket pagave, ato janë vonuar për 10 ditë për muajin prill, në të kaluarën janë marrë me kohë”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Kujtojmë që Telegrafi të hënën ka raportuar se si kjo kompani prej disa ditësh nuk u ka mbledhur mbeturinat në disa lokalitete shkaku i mungesës së karburanteve. /Telegrafi/