VLEN: Thellojmë bashkëpunimet strategjike në interes të zhvillimit ekonomik
Nga VLEN përmes një kumtese thonë se zhvillimi ekonomik i Maqedonisë së Veriut është i lidhur ngushtë me thellimin e partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimin konkret me vendet mike.
"Në këtë drejtim, pas më shumë se 12 vitesh, Maqedonia e Veriut dhe Turqia rikthejnë dialogun e nivelit të lartë për transportin rrugor, një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional ndërmjet dy vendeve.
Në Shkup, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve nga radhët e VLEN, Kaltrina Zekolli, mirëpriti homologun e saj nga Turqia, Zëvendësministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Dumuş Ünüvar, ku takimi u përmbyll me nënshkrimin e protokollit të ri për transportin rrugor.
Me këtë protokoll u dakordua rritja e kuotave të lejeve për transportin ndërkombëtar të mallrave, si dhe parashikimi i lejeve shtesë për vitin 2026.
Këto vendime sjellin lehtësim të drejtpërdrejtë për transportuesit dhe ndikojnë në rritjen e qarkullimit të mallrave dhe intensifikimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë", thonë nga atje.
Për VLEN-in, thonë nga atje, si pjesë e qeverisë partneritetet strategjike nuk janë vetëm diplomaci, por instrument konkret për zhvillim ekonomik, më shumë mundësi për bizneset dhe përmirësim të jetës së qytetarëve./Telegrafi/


