Vera po mbaron, por kjo nuancë sapo po fillon: Ngjyra që i jep jetë edhe kombinimeve më të errëta
E freskët si vera, por mjaftueshëm elegante për muajt e ftohtë – kështu po ndryshon rolin e saj në gardërobë
Pas disa sezonesh të dominuara nga bordo, kafeja çokollatë dhe e verdha e butë, moda e vitit 2026 po rikthen dëshirën për ngjyra më të guximshme.
Vera tashmë tregoi se kombinimet neutrale nuk janë më zgjedhja e vetme, por një nga nuancat më të bukura të sezonit duket se nuk do të largohet bashkë me ditët e ngrohta. Bluja Tiffany, një nuancë e çelët turkeze mes blusë dhe të gjelbrës, po kalon edhe në gardërobën e vjeshtës.
Është mjaftueshëm e freskët për të kujtuar detin dhe verën, por edhe mjaftueshëm karakteristike për t’i dhënë jetë një kombinimi vjeshtor. Veçanërisht bukur shkon me të zezën, grinë, blunë e errët dhe kafen – ngjyra që tradicionalisht dominojnë sapo temperaturat fillojnë të bien, transmeton Telegrafi.
Nga pasarelat në gardërobën e përditshme
Nuancat aqua janë shfaqur edhe në koleksionet e markave të njohura për sezonin e ftohtë, ndërsa stili i rrugës po tregon se ngjyrat intensive nuk janë më të rezervuara vetëm për pranverë dhe verë.
Bluja Tiffany ka edhe një histori të veçantë. Emrin ia detyron shtëpisë së luksit Tiffany & Co., e cila e përdor tonin karakteristik të kaltër prej shekullit XIX. Me kalimin e kohës, ngjyra u lidh aq fort me markën sa Pantone krijoi për të nuancën e posaçme 1837 Blue, sipas vitit të themelimit të kompanisë.
Në modë, megjithatë, termi “blu Tiffany” përdoret sot më gjerësisht dhe përfshin një gamë që shkon nga akuamarina e butë dhe aqua pastel deri te turkezet më intensive.
Një rikthim me frymë Y2K
Nëse kjo ngjyrë ju duket e njohur, nuk është rastësi. Turkezja dhe aqua ishin shumë të pranishme në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, kur moda përqafonte shkëlqimin, satenin, kristalet dhe ngjyrat pastel më të forta.
Rikthimi i saj lidhet edhe me ringjalljen e estetikës Y2K. Por këtë herë bluja Tiffany shfaqet më e sofistikuar dhe minimaliste.
Në vend të kombinimeve tipike “pop princess”, ajo përdoret si një akcent i fuqishëm që i jep energji një veshjeje të thjeshtë.
Mund ta shohim në fustane e funde të lehta, por edhe në këmisha oversize, trikotazhe, xhaketa të strukturuara, kostume, çanta dhe këpucë.
Si ta kombinoni në vjeshtë?
Kafeja çokollatë është një nga partnerët më të mirë të kësaj nuance, sepse ngrohtësia e saj balancon freskinë e blusë aqua.
E zeza krijon një efekt më grafik dhe urban, ndërsa grija e bën kombinimin më elegant. Bluja e errët, nga ana tjetër, mundëson një pamje pothuajse monokromatike, por me kontrast të mjaftueshëm që veshja të mos duket monotone.
Në fund të verës, bluja Tiffany duket shkëlqyeshëm me të bardhën, kremin dhe xhinsin e çelët. Në vjeshtë, ajo fiton një karakter krejt tjetër kur kombinohet me lëkurë, lesh, trikotazh dhe prerje më të strukturuara.
Pas viteve të dominimit të estetikës “quiet luxury” dhe paletës së bezhës, grisë e kafes, moda duket se po kërkon përsëri më shumë optimizëm dhe individualitet.
Prandaj, bluja Tiffany nuk duhet parë vetëm si një trend veror. Nga fustanet e lehta po kalon te trikotazhet dhe xhaketat, ndërsa gjatë dimrit mund ta shohim edhe në pallto, shalle, çanta dhe këpucë.
/Telegrafi/


