Vera përvëluese ende nuk ka ardhur, paralajmërojnë shkencëtarët
Edhe pse vera e këtij viti po sjell temperatura jashtëzakonisht të larta në shumë pjesë të botës, shkencëtarët paralajmërojnë se ajo ende nuk ka arritur nivelet rekord.
Sipas tyre, situata mund të bëhet edhe më ekstreme kur fenomeni klimatik El Niño të hyjë në fazën e plotë të zhvillimit.
El Niño është një fenomen natyror që shkakton ngrohjen e ujërave sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor, duke ndikuar në modelet e erërave, reshjeve dhe temperaturave në të gjithë botën, shkruan ap.
Ekspertët paralajmërojnë se El Niño i ardhshëm mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë. Parashikimet e disa qendrave meteorologjike tregojnë rritje të mundësisë për një ngjarje të fuqishme, e cila mund të sjellë valë të reja të nxehtësisë ekstreme, thatësira dhe ndryshime të mëdha klimatike.
Shkencëtarët theksojnë se kombinimi i ngrohjes globale dhe ndikimit të El Niños mund të shtojë rrezikun për temperatura rekord në shumë rajone të botës. Evropa gjithashtu mund të përballet me pasoja, përfshirë valë më të gjata të të nxehtit dhe periudha të thata.
Fenomeni pritet të ndikojë në qarkullimin atmosferik dhe në rrjedhën e rrymave ajrore, duke ndryshuar shpërndarjen e reshjeve dhe temperaturave në hemisferën veriore.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta të këtij viti mund të jenë vetëm fillimi, ndërsa ndikimi më i madh i El Niños mund të ndihet gjatë muajve të ardhshëm dhe në vitin pasues.
Nëse parashikimet realizohen, bota mund të përballet me një periudhë të re të nxehtësisë ekstreme, me pasoja për bujqësinë, furnizimin me ujë dhe sistemet energjetike. /Telegrafi/


