Vazhdon djegia e kontejnerëve në Prishtinë, KRM Pastrimi del me njoftim
Ndërmarrja Komunale Rajonale “Pastrimi” ka denoncuar një rast vandalizmi të ndodhur në rrugën “Xheladin Hana” në lagjen Bregu i Diellit, ku persona të papërgjegjshëm kanë djegur kontejnerët për mbeturina.
Sipas KRM “Pastrimi”, ky veprim ka shkaktuar dëm material, si dhe ndotje serioze të ajrit për shkak të çlirimit të substancave toksike, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Nga ndërmarrja bëhet e ditur se kontejnerët e dëmtuar janë zëvendësuar, por theksohet se sjellje të tilla janë të papranueshme dhe dëmtojnë drejtpërdrejt pasurinë publike.
KRM “Pastrimi” rikujton se kontejnerët për mbeturina janë pasuri publike, të blera me paratë e qytetarëve, dhe bën thirrje për ruajtjen e tyre, duke kërkuar ndaljen e akteve vandaliste që dëmtojnë interesin e përgjithshëm. /Telegrafi/


