Valmir Matoshi flet pas ftesës së parë: Do ta jap maksimumin për Kosovën
Mesfushori Valmir Matoshi ka shprehur emocionet e tij pas grumbullimit të parë me Kombëtaren e Kosovës, duke premtuar se do të japë maksimumin sa herë që do të ketë mundësinë të paraqitet me fanellën e Dardanëve.
Në një prononcim për Federatën e Futbollit të Kosovës, Matoshi tha se ndihet shumë mirë në ambientin e ekipit kombëtar dhe se është pritur jashtëzakonisht mirë nga bashkëlojtarët dhe stafi teknik.
“Është një ndjenjë shumë e mirë, të cilën nuk e kisha përjetuar deri tash. Të gjithë lojtarët janë shumë të mirë, po ashtu edhe stafi i trajnerëve. Bisedojmë lirshëm me njëri-tjetrin, ashtu siç duhet të jetë”, deklaroi Matoshi.
Mesfushori, i cili më parë është paraqitur për grupmoshat U20 dhe U21 të Zvicrës, po kalon një moment të rëndësishëm në karrierë, sidomos pas suksesit me Thunin, klub me të cilin fitoi titullin kampion në Zvicër.
Ai theksoi se, pavarësisht se është hera e parë që ftohet nga Kosova, ndihet sikur ka kohë të gjatë pjesë e ekipit.
“Po më duket sikur kam luajtur për kohë të gjatë për Kosovën. Më vjen mirë prej të gjithëve për pritjen”, u shpreh ai.
Matoshi zbuloi gjithashtu se e ka ndjekur vazhdimisht Kombëtaren e Kosovës dhe se është ndier i zhgënjyer që “Dardanët” nuk arritën të sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Botëror.
“Thuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës i kam shikuar më herët. E kam parë edhe ndeshjen e fundit kualifikuese ku ishte afër kualifikimit në Botëror. Do të ishte mirë, por nuk u bë”, tha Matoshi.
Megjithatë, ai mbetet optimist për të ardhmen dhe beson se Kosova mund të arrijë një sukses historik në vitet e ardhshme, me kualifikimin në “Euro 2028” si objektivin kryesor të ekipit. /Telegrafi/


