Please enter at least 3 characters.

Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Mjekësor i Grazit forcojnë partneritetin strategjik dhe hapin një kapitull të ri për zhvillimin e QKSTK-së në Kosovë

Bashkëpunimi akademik dhe shkencor ndërmjet dy universiteteve synon forcimin e arsimit, kërkimit dhe trajnimit kirurgjikal në Kosovë

Universiteti Mjekësor i Grazit ka pritur në një takim zyrtar një delegacion të nivelit të lartë nga Universiteti i Prishtinës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, dhe drejtori i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës, prof. Rifat Latifi, u pritën nga rektorja e Universitetit Mjekësor të Grazit, prof. Andrea Kurz, si dhe nga prof. Lars-Peter Kamolz dhe prof. Lumnije Kqiku.

Gjatë takimit, palët u dakorduan për avancimin dhe zbatimin konkret të memorandumit ekzistues të mirëkuptimit, me fokus të veçantë në mbështetjen institucionale për ndërtimin dhe forcimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Bashkëpunimi parashikon partneritet të strukturuar në fushën e arsimit, zhvillimit institucional dhe kërkimit shkencor.

Në kuadër të këtij partneriteti janë planifikuar iniciativa të përbashkëta arsimore, projekte kërkimore, shkëmbim i përvojave dhe transferim i njohurive profesionale (know-how), si dhe një bashkëpunim i qëndrueshëm dhe afatgjatë ndërmjet dy universiteteve, partneritet ky që hap kapitull të ri për zhvillimin e QKSTK-së në Kosovë

Qëllimi kryesor i këtij angazhimi është ndërtimi i strukturave moderne dhe të qëndrueshme për edukimin dhe kërkimin kirurgjikal në Kosovë. Në përfundim të takimit, u përcaktuan edhe hapat e ardhshëm konkretë, përfshirë hartimin e një plani të përbashkët veprimi për thellimin e mëtejshëm të partneritetit, thuhet në njoftimin zyrtar të Universitetit Mjekësor të Grazit. /Telegrafi/