Tregu i lirë energjetik, KEDS paralajmëron shkyçjen e bizneseve që nuk kanë kontratë të furnizimit me energji
KEDS ka bërë të ditur se do të fillojë zbatimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për bizneset që janë subjekt i liberalizimit të tregut të energjisë
KEDS thekson se sipas Nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085) dhe Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF- KEK), shërbimi i FMF-së është i kufizuar në një periudhë maksimale prej 60 ditësh.
“Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi, dhe në përputhje me Nenin 8 të Rregullës për Ndërrimin e Furnizuesit, vazhdimi i furnizimit me energji elektrike nuk lejohet ligjërisht, dhe për të ruajtur integritetin e sistemit energjetik, është e nevojshme të bëhet shkyçja. Bazuar në këto obligime ligjore të përmendura më lart, KEDS më 31.07.2025, është i obliguar të shkyçë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që aktualisht nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një Furnizues Aktiv”, thuhet në njoftim.
KEDS rikujton se ky proces është pjesë e reformave për liberalizimin e tregut të energjisë dhe është i përcaktuar nga autoriteti rregullator.
“Ne inkurajojmë bizneset që ende nuk kanë ndërmarrë këtë hap të kontaktojnë sa më parë furnizuesit e licencuar nga ZRRE për të përmbushur obligimet e tyre.
KEDS, si Operator i Sistemit të Shpërndarjes nuk ka ndonjë kompetencë furnizuese, por ka vetëm rolin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe si kompani e rregulluar është e obliguar t’i zbatojë të gjitha vendimet e ZRRE-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


