Please enter at least 3 characters.

Tre raste të sulmit dhe pengimit të zyrtarëve policorë në Malishevë dhe Gjakovë

Foto: Ilustrim

Tre persona janë arrestuar në dy raste të ndara në Malishevë dhe Gjakovë, nën dyshimin për pengim dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur më 2 gusht rreth orës 14:30 në Malishevë, ku janë arrestuar dy burra kosovarë.

Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka sulmuar fizikisht policët brenda stacionit policor.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare si dhe brenda stacionit policor njëri prej tyre ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë”, thuhet në raport.

Si pasojë e sulmit, tre zyrtarë policorë kanë kërkuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar në Gjakovë, rreth orës 20:00, ku është arrestuar një grua kosovare.

Sipas Policisë, e dyshuara ndodhej në stacionin policor lidhur me një rast tjetër të mëhershëm, kur kishte shfaqur sjellje agresive dhe kishte shtyrë një zyrtar policor.

“Është arrestuar e dyshuara kosovare për shkak se e njëjta përderisa ishte në stacion policor lidhur me një rast tjetër të mëhershëm, ka pasur sjellje agresive si dhe e ka shtyrë zyrtarin policor”, thuhet në njoftim.

Pas konsultimit me prokurorin dhe inicimit të rastit, e dyshuara është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/