Please enter at least 3 characters.

Tragjedi në Alaskë - rrëzohet një avion civil pranë një stacioni radarësh, tetë persona humbin jetën

Një avion charter është rrëzuar në një zonë të largët të Alaskës, duke shkaktuar vdekjen e të tetë personave që ndodheshin në bord.

Aksidenti ndodhi pranë në një stacioni radarësh me rreze të gjatë në Cape Newenham, rreth 725 kilometra në perëndim të Anchorage, raporton nbcnews.com

“...Prioriteti ynë absolut tani është t’u ofrojmë mbështetje të palëkundur familjeve, miqve dhe kolegëve të tyre gjatë kësaj kohe shkatërruese. Jemi thellësisht mirënjohës për reagimin e shpejtë dhe të palodhshëm të ekipeve tona të kërkim-shpëtimit dhe rimëkëmbjes”, tha Robert Davis, komandant i Komandës së Alaskës.

Nuk është e qartë se çfarë misioni po kryente grupi.

Në deklaratë thuhej se avioni ishte një “mjet fluturues i kontraktuar nga sektori civil”.

Avioni, një Cessna 441, ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Ted Stevens Anchorage dhe po udhëtonte drejt Cape Newenham, njoftoi Administrata Federale e Aviacionit (FAA).

Stacioni i radarit me rreze të gjatë në Cape Newenham është pjesë e një rrjeti stacionesh të largëta të radarëve që monitorojnë avionët që operojnë në hapësirën ajrore të Alaskës dhe përgjatë kufijve të saj. Sipas deklaratës së Komandës së Alaskës, ai menaxhohet nga Qendra Rajonale e Mbështetjes së Forcave Ajrore të Paqësorit.

Në bord ndodheshin dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë, sipas Clint Johnson, drejtuesit të rajonit të Alaskës në Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB).

Ushtria amerikane bëri të ditur se pas rrëzimit, ekipet e kërkim-shpëtimit u ulën pranë vendit të ngjarjes dhe përfundimisht konfirmuan se nuk kishte të mbijetuar.