Please enter at least 3 characters.

Ter Stegen e vendos Barcelonën në një pozicion shumë të keq me njoftimin për operacion

Kapiteni dhe portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, ka konfirmuar vendimin për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpinë.

Megjithatë, ky zhvillim ka sjellë një pengesë të papritur për klubin katalanas.

Portieri gjerman ka njoftuar se do të mungojë për rreth tre muaj, një periudhë që, sipas rregullores së La Ligës, nuk është e mjaftueshme për të lejuar Barcelonën të regjistrojë një zëvendësues jashtë afatit kalimtar – duke e vendosur klubin në një pozitë të vështirë sa i përket Fair Play-it Financiar.

Deklarata e plotë e Ter Stegen:

“Të dashur Culers,

Vesh me krenari ngjyrat dhe fanellën e FC Barcelona, qoftë në fushë apo jashtë saj, në momente suksesi dhe kohë të vështira. Sot është një ditë e vështirë për mua personalisht.

Fizikisht dhe atletikisht ndihem në formë shumë të mirë, megjithatë nuk jam i lirë nga dhimbjet. Pas diskutimeve intensive me ekipin mjekësor të FC Barcelona dhe ekspertë të jashtëm, mënyra më e shpejtë dhe e sigurt për t’u rikuperuar plotësisht është përmes një operacioni në shpinë.

Pas operacionit të fundit në shpinë, u riktheva në fushë pas 66 ditësh – pothuajse dy muaj. Kësaj here, mjekët besojnë se rreth tre muaj do të jenë të nevojshëm si masë paraprake për të shmangur çdo rrezik.

Emocionalisht, më dhemb shumë që nuk mund ta ndihmoj ekipin gjatë kësaj kohe. Për fat të mirë, rehabilitimi është i menaxhueshëm dhe rruga e rikthimit është e hapur.

Do t’ju mbaj të informuar për shërimin tim dhe ju falënderoj sinqerisht të gjithëve, të dashur Culers, për mbështetjen tuaj të pandërprerë.

Mos u shqetësoni – do të kthehem!

I juaji,Marc”.

Probleme për Barcelonën

Deklarata e Ter Stegen pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta për Barcelonën, pasi ajo bie ndesh me kriteret e La Ligës për regjistrimin e lojtarëve në rast dëmtimi.

Sipas nenit 77 të rregullores së La Ligës, klubet mund të regjistrojnë një zëvendësues vetëm nëse një lojtar është i dëmtuar për katër muaj ose më shumë. Lojtari zëvendësues mund të ketë një pagë që nuk i kalon 80% të pagës së lojtarit të lënduar, dhe kjo pagë llogaritet brenda kufirit të Fair Play-it Financiar.

Barcelona e ka shfrytëzuar këtë rregull më parë – si në rastin e regjistrimit të Dani Olmo si zëvendësues për Andreas Christensen. Kësaj here, klubi kishte planifikuar të regjistronte Joan Garcia si zëvendësues të përkohshëm për Ter Stegen duke hequr 80% të pagës së tij nga fatura e pagave.

Por me Ter Stegen që deklaron publikisht se do të mungojë vetëm tre muaj, Barcelona humb mundësinë për të përdorur këtë përjashtim.

Zgjidhje e vështirë për Barçën

Tani, Barcelona duhet të gjejë një rrugëdalje. Mundësitë janë:

Të ndryshojë qëndrimin zyrtar dhe të pretendojë se mungesa e Ter Stegen do të zgjasë katër muaj – duke kundërshtuar fjalët e vetë lojtarit.

Ose të përballet me faktin se nuk mund të regjistrojë një zëvendësues dhe të mbështetet vetëm te portieri i dytë dhe i tretë.

Situata është delikate, dhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, pritet ta ndjekë nga afër. Ai është i njohur për qasjen e rreptë ndaj rregullave financiare dhe mund të mos jetë i gatshëm të bëjë përjashtime. /Telegrafi/