Temperatura të larta, IHK rekomandon kujdes për fëmijët e të moshuarit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, fundjava do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët, me intervale me diell dhe vranësira të pakta.
IHK njofton se të shtunën në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.
Instituti njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale të ditës do të arrijnë ndërmjet 28 dhe 33 gradë.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–5 m/s.
Ndërkaq, për të dielën parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 28 deri në 32 gradë.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1–6 m/s.
IHK njofton se kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e popullatës, ndërsa temperaturat e larta gjatë orëve të mesditës mund të shkaktojnë ndjenjë lodhjeje dhe shqetësime te personat e ndjeshëm.
Kushtet agrometeorologjike parashihen të jenë të mira për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe kryerjen e punimeve sezonale në fushë.
Temperaturat e favorshme dhe lagështia e mbetur në tokë nga reshjet e ditëve të kaluara do të krijojnë kushte të përshtatshme për vegjetacionin.
Duke pasur parasysh se gjatë javës së ardhshme priten reshje shiu, nuk parashihet rrezik i theksuar nga mungesa e lagështisë në tokë.
Indeksi UV do të mbetet i lartë gjatë fundjavës, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur ndaj rrezeve të diellit në intervalin kohor 10:00–16:00, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat që punojnë në ambiente të hapura. /Telegrafi/


