Telashe me përkthimin, rasti i Endrit Nikës shtyhet për 25 shtator
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shtyrë për 25 shtator fillimin e rigjykimit ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 2023.
Kjo pas kërkesës së Tomë Gashit, mbrojtësit të të akuzuarit, i cili ka kërkuar nga kryetari i trupit gjykues që të ndërpritet seanca e rigjykimit ndaj Nikës, pasi sipas tij, përkthyesi i të njëjtit flet vetëm gjuhën gjermane por jo edhe dialektin zviceran, të cilin, sipas tij, e flet edhe i akuzuari.
“Fillimisht besoj që nuk janë kushtet kryesore për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor për shkak se gjykata nuk ka arritur që Endrit Nikës t’ia sigurojë një përkthyes adekuat nga gjuha gjermane sepse ne të gjithë e dimë se gjuha gjermane në të shkruar është e njëjtë, në Zvicër, Gjermani dhe vende tjera gjermanfolëse, mirëpo specifikat e Zvicrës ku (Nika) ka kaluar gjithë jetën e tij, deri para tre viteve e që është në paraburgim nga rasti, ka shkruar gjermanisht që është e njëjtë që e përdor edhe përkthyesi që është caktuar. Është adekuat dhe nuk kemi vërejtje mirëpo flet ndryshe nga gjuha e shkruar e qe janë specifikat në të folur te gjuhës gjermane. Ndryshe flasin, ndryshe shkruajnë”, tha ai, raporton kp.
Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri pas një pauze bëri të ditur se ka kontaktuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe sqaroi se nga i njëjti kanë thënë se nuk ofron licencim të përkthyesve në gjermanishten zvicerane.
“Është kontaktuar KGJK dhe zyrtari Fisnik Aliu njofton gjykatën se KGJK ofron licencimin e përkthyesve në gjuhën standarde gjermane por nuk ofron licencimin e përkthyesve në gjermanishten zvicerane. Ky dëgjim pyet të akuzuarin me qenë se jemi në këtë situatë përkthyesin, të cilin e ke pasur edhe në gjykimin e kaluar, i cili ka përkthyer në vazhdimësi, a e ke kuptuar dhe a ke nevojë për një përkthyes tjetër”, tha ai.
Ai pyeti të akuzuarin se a ka nevojë për një tjetër përkthyes.
Nika tha se dëshiron të shprehet lirshëm në gjuhën që e flet.
“Po dhe për mu shpreh i lirshëm në gjuhën time”, tha ai.
Avokati Tomë Gashi ka kërkuar që të thirren të gjithë përkthyesit e licensuar nga KGJK-ja për të gjetur se cili nga ta ka jetuar në Zvicër.
“Ne e kemi të qartë se KGJK ka më shumë se 50 përkthyes por për të qenë rigjykimi fer që të kuptoj gjithçka, ideja është që me i kontaktu se cili ka jetuar ne Zvicër”, kërkoi ai.
Seanca gjyqësorë është shtyrë me 25 shtator në ora 13, ku do të dëshmojnë familjarë të Nikës.
Nika ishte shpallur më herët fajtor nga kjo gjykatë dhe ishte dënuar me 18 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes së rëndë” të partneres së tij, Maria Clara Urdangaray.
Maria Clara Urdangaray, sipas dokumentarit, ndërroi jetë rreth orës 04:27 të 1 gushtit 2023. Vdekja e saj ndodhi afërsisht tri orë pasi kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit “Sonoma” në Fushë Kosovë, ku kishte qenë duke qëndruar bashkë me të dashurin e saj, Endrit Nikën.
Prokuroria pretendon se, gjatë goditjeve dhe shtyrjeve, viktima përfundoi në cep të dhomës pa mundësi largimi, ndërsa më pas korniza e dritares u shkëput dhe ajo ra jashtë.
Nika ishte deklaruar se është i pafajshëm. /kp/


