Please enter at least 3 characters.

Të premten promovohet “Libri im i kujtimeve” nga autori Rafet Rudi

Libri “Libri im i kujtimeve” nga autori Rafet Rudi do të promovohet më 23 maj, ditën e premte, në orën 18:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. 

“Libri im i kujtimeve” paraqet një "kronikë të jetës muzikore" nga vitet '70 deri në 1999, parë nga perspektiva e autorit si kompozitor, dirigjent dhe publicist.

Ai tregon ngjarje dhe kujtime personale, duke përfshirë shkrimet e tij që datojnë që nga viti 1975, ku përshkruan zhvillimet në jetën muzikore në kontekstin e kushteve politike, sociale dhe kulturore.

Libri ka karakteristika biografike, por është më shumë një kronikë e kohës dhe e ndikimeve që kanë formuar autorin. Ai ofron informacione të vlefshme për periudha të rëndësishme të jetës muzikore, të cilat janë të vështira për t'u gjetur në arkiva zyrtarë.

Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:

-Rafet Rudi, autor i librit;

-Shkëlzen Maliqi, filozof, kritik arti dhe analist politik;

-Nestor Kraja, kompozitor dhe studiues muzike dhe

-Dardan Selimaj, u.d. i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës

Promovimi moderohet nga: Rreze Kryeziu Breznica, muzikologe.

Rafet Rudi është kompozitor, dirigjent dhe mendimtar në fushën e publicistikës dhe të filozofisë së muzikës.

Si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe të Arteve, Rudi përbën personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës.

Ka shkruar veprat: kantatën “Flijimi” (1983), “Fantasia in Si” (1985) për violinë e piano, Koncerti për kitarë e orkestër (1986) etj.

Rudi ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, përderisa, si shef-dirigjent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ka realizuar një sërë koncertesh në Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Itali, Angli etj.

Të gjithë ju, dashamirë të librit, ftoheni në këtë promovim mjaft të veçantë, ku do të keni rastin të diskutoni rreth librit dhe ta merrni atë me nënshkrim të autorit.