Të paktën 40 asete energjetike të dëmtuara rëndë në luftën e Lindjes së Mesme, thotë shefi i IEA-s
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë tha të hënën se të paktën 40 asete energjetike ishin dëmtuar "rëndë ose shumë rëndë" në Lindjen e Mesme për shkak të luftës në rajon.
"Të paktën dyzet... asete energjetike në rajon janë dëmtuar rëndë ose shumë rëndë në nëntë vende", ka thënë Fatih Birol për Klubin Kombëtar të Shtypit në kryeqytetin e Australisë.
Birol theksoi gjithashtu se ekonomia globale përballet me një "kërcënim të madh, të madh" për shkak të luftës së Iranit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Asnjë vend nuk do të jetë imun ndaj efekteve të kësaj krize nëse ajo vazhdon të shkojë në këtë drejtim", tha Birol.
Ai tha se kriza në Lindjen e Mesme ka pasur një ndikim të kombinuar më të keq sesa dy goditjet e naftës të viteve 1970 dhe efekti në tregjet e gazit të luftës Rusi-Ukrainë.
Komentet e tij erdhën ndërsa Izraeli nisi një valë të re sulmesh të hënën herët kundër Teheranit.
Zyrtari shtoi se po konsultohej me qeveritë në Evropë dhe Azi në lidhje me perspektivën e lëshimit të rezervave të mëtejshme të naftës.
“Do ta shohim, do të shqyrtojmë tregjet”, ka thënë më tej Birol. “Nëse është e nevojshme sigurisht që do ta bëjmë, por do të shqyrtojmë kushtet, do ta analizojmë, vlerësojmë tregun dhe do të diskutojmë me vendet tona anëtare”.
Ndërsa Irani vazhdon kontrollin e tij në Ngushticën e Hormuzit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump i dha një afat prej 48 orësh Teheranit për të hapur rrugën strategjike ujore për të gjitha anijet, duke thënë se përndryshe Shtetet e Bashkuara do të “shkatërronin” termocentralet e Iranit.
Trump e postoi kërcënimin në mediat sociale të dielën herët në zonat kohore të Lindjes së Mesme. /Telegrafi/


