Please enter at least 3 characters.

Të enjten shpallet aktgjykimi për Sllavisha Filiqin, i akuzuar për zhdukjen e doktor Hafir Shalës

Të enjten, më 17 korrik 2025, në ora 09:15, pritet të shpallet aktgjykimi në procesin gjyqësor ndaj Sllavisha Filiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, konkretisht për rastin e zhdukjes së doktorit të njohur Hafir Shala.

Procesi gjyqësor ka përfshirë disa seanca dëgjimore, ku dëshmitarë të ndryshëm kanë paraqitur rrëfimet e tyre për rrethanat e ngjarjes që çuan në zhdukjen e mjekut të njohur shqiptar.

Rasti ka tërhequr vëmendjen e gjerë të opinionit publik për shkak të ndjeshmërisë historike dhe simbolikës së figurës së doktor Shalës në komunitet.

Së fundmi, debati publik është përqendruar rreth një dëshmitari të rëndësishëm – Sébastien Gricourt, ish-përfaqësues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Kosovë dhe aktualisht këshilltar politik i Kryeministrit Albin Kurti.

Gentrit Shala, djali i doktor Hafir Shalës, ka kërkuar publikisht që Gricourt të paraqitet për të dëshmuar, duke e akuzuar se po i shmanget procesit përmes imunitetit diplomatik.

“Kur imuniteti shndërrohet në barrierë për drejtësi, ai humb qëllimin moral për të cilin ekziston,” deklaroi Gentriti, duke i bërë thirrje Gricourtit të dëshmojë me guxim qytetar dhe njerëzor.

Ai gjithashtu i ka kërkuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të mos përdoret si mburojë për heshtje dhe ka ftuar kryeministrin Kurti të marrë përgjegjësi për përfshirjen e këshilltarit të tij në këtë çështje të ndjeshme.

Shpallja e aktgjykimit të së enjtes pritet me interes të lartë nga publiku dhe veçanërisht nga familja Shala, e cila prej më shumë se dy dekadash kërkon zbardhjen e fatit të babait të tyre dhe vendosjen e drejtësisë.