Please enter at least 3 characters.

Të dhënat që shpëtojnë jetë - si mblidhen, interpretohen dhe përdoren në shëndetin publik

Një numër i shënuar në një formular mjekësor mund të duket si një e dhënë rutinore. Por, në sistemin e shëndetit publik, pas tij mund të fshihet shumë më tepër: një diagnozë e re, një pacient që ka nevojë për trajtim, një grup i popullsisë në rrezik apo një problem shëndetësor që kërkon ndërhyrje nga institucionet.

Në shëndetin publik, statistikat nuk janë vetëm rezultat i një procesi administrativ. Ato janë pjesë e një zinxhiri që nis te pacienti, vazhdon me mbledhjen dhe raportimin e të dhënave, kalon nëpër analizë dhe interpretim dhe nëse përdoret siç duhet përfundon në vendimmarrje dhe ndërhyrje.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për sëmundjet kronike jongjitëse (SKJ), të cilat sipas Doracakut të IKSHPK-së i hartuar nga Prof. ass. dr. Sanije Hoxha – Gashi, Dr. Mirëlinda Hoxha – Hatashi dhe Prof. ass. dr. Rina Hoxha, paraqitja e rasteve me SKJ janë problem madhor i shëndetit publik dhe mund të parandalohet përmes kontrollit të faktorëve të rrezikut, diagnozës së hershme dhe trajtimit të menjëhershëm.

Në Kosovë, sipas të dhënave të ASK-së, sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut ishin shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve në vitin 2020, me 50.8 për qind, të pasuara nga sëmundjet malinje me 14.9 për qind dhe sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes me 7.2 për qind. Ndërsa, sipas raportit për SKJ-të për vitin 2021, ndër rastet e raportuara dominonte hipertensioni arterial me 44.6 për qind, pasuar nga diabeti sheqeror i pavarur nga insulina me 35.4 për qind.

Por pyetja për shëndetin publik nuk është vetëm sa raste kemi. Është si e dimë këtë, çfarë na tregojnë të dhënat dhe çfarë bëjmë me to?

E dhëna e parë lind te pacienti

Rruga e statistikës shëndetësore nis në institucionin ku pacienti diagnostikohet ose trajtohet. Doracaku i IKSHPK-së përcakton se Regjistri i Sëmundjeve Kronike Jongjitëse është proces i grumbullimit sistematik të informatave për personat me diagnozë të këtyre sëmundjeve dhe se vlera e tij varet nga cilësia e të dhënave dhe përdorimi i tyre në hulumtim e planifikim.

Fletëparaqitja e sëmundjeve masovike jongjitëse plotësohet nga mjeku për çdo pacient me SKJ që është ekzaminuar, diagnostikuar apo trajtuar gjatë vitit. Formulari përmban të dhëna për institucionin, nivelin e kujdesit, moshën, gjininë, vendbanimin, profesionin, datën e diagnozës së parë, diagnozën dhe fazën e sëmundjes.

Kështu, një e dhënë që lind gjatë një vizite mjekësore mund të bëhet pjesë e një pasqyre shumë më të madhe për shëndetin e popullatës.

Kush i mbledh dhe kush i menaxhon të dhënat?

Mbledhja e të dhënave nuk përfundon me plotësimin e formularit. Çdo mjek që diagnostikon apo trajton raste të SKJ-ve duhet të raportojë, ndërsa mbledhja e të dhënave duhet të bëhet nga personel i trajnuar.

Në këtë proces rol të veçantë ka regjistruesi i sëmundjeve kronike jongjitëse. Ai është përgjegjës për menaxhimin e informacionit dhe duhet të sigurojë që të dhënat të jenë të sakta, të plota dhe të arrijnë me kohë.

Udhëzimi Administrativ Nr. 11/2013 përcakton rrugën e rrjedhjes dhe mbledhjes së të dhënave dhe përdorimin e formularëve zyrtarë për raportim. Në rast të evidentimit të parregullsive ose raportimit jo-adekuat apo të vonuar, dokumenti parashikon ndërhyrje institucionale.

Kujdesi parësor, pika ku të dhënat takohen me komunitetin

Kjo rëndësi bëhet veçanërisht e dukshme në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë, në përgjigje për Telegrafin, e përshkruan atë si hallkën më të afërt me qytetarin.

“Kujdesi Parësor Shëndetësor është pika e parë dhe më e afërt e sistemit shëndetësor me qytetarin dhe, për këtë arsye, ka një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin afatgjatë të sëmundjeve kronike jo-ngjitëse” , thuhet në përgjigjen e tyre.

Të dhënat e krijuara gjatë ofrimit të shërbimeve mund të tregojnë jo vetëm sa pacientë janë diagnostikuar, por edhe cilat janë nevojat e një komuniteti.

“Të dhënat e krijuara gjatë ofrimit të shërbimeve, si hipertensioni, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, faktorët e rrezikut, statusi i vaksinimit, rezultatet e ekzaminimeve dhe ndjekja e pacientëve, mund të përdoren për të kuptuar më mirë nevojat shëndetësore të popullatës”, vlerëson Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSh-së, këto të dhëna duhet të përdoren përtej raportimit, ato duhet të shërbejnë si bazë për vendimmarrje klinike, organizim të shërbimeve, identifikim të grupeve në rrezik dhe planifikim të ndërhyrjeve parandaluese

Përmes analizës mund të identifikohen rritja e rasteve të hipertensionit apo diabetit, personat që nuk bëjnë kontrolle të rregullta dhe pacientët që kanë nevojë për monitorim më të shpeshtë.

Por kjo kërkon të dhëna të besueshme.

“Është e domosdoshme që të dhënat të jenë të sakta, të standardizuara, të plota dhe të regjistrohen në mënyrë të rregullt”, theksohet tutje në përgjigjen e MSH-së.

Të dhënat nuk flasin vetë

Të kesh të dhëna nuk do të thotë automatikisht se e ke kuptuar problemin. Dr. Ardita Baraku, në një intervistë të mëhershme për Telegrafin, ka shpjeguar se rritja e rasteve të raportuara të SKJ-ve mund të nënkuptojë rritje reale të rasteve të reja, por edhe përmirësim të qasjes në shërbime, kapaciteteve diagnostikuese ose raportimit statistikor.

Ky dallim është thelbësor. Një rritje e rasteve mund të jetë alarm për një problem në rritje, por mund të tregojë edhe se sistemi po i gjen më mirë pacientët që më parë mbeteshin të padiagnostikuar.

Prandaj, një rritje e rasteve nuk duhet interpretuar automatikisht si përkeqësim i gjendjes shëndetësore. Incidenca tregon rastet e reja, prevalenca barrën e sëmundjes në popullatë, ndërsa vdekshmëria ndihmon në vlerësimin e rezultateve dhe efektivitetit të ndërhyrjeve.

Kur statistika bëhet sinjal për veprim

Pikërisht këtu të dhënat duhet të kalojnë nga përshkrimi i problemit në ndërhyrje. Ministria e Shëndetësisë thekson se për shembull nëse rriten faktorët e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare në një komunitet, përgjigjja nuk duhet të kufizohet vetëm te pacientët tashmë të diagnostikuar.

“Duhet të shqyrtohen masa të tilla si intensifikimi i kontrolleve preventive, matja sistematike e tensionit arterial dhe faktorëve të tjerë të rrezikut, këshillimi për ushqyerjen dhe aktivitetin fizik, identifikimi i hershëm i personave në rrezik dhe ndjekja më e rregullt e pacientëve kronikë”, deklarojnë nga MSH për Telegrafin.

E njëjta logjikë vlen edhe për depistimin. Pra, rruga duhet të jetë: Të dhëna, analizë, identifikim i rrezikut, ndërhyrje dhe monitorim i rezultateve.

Nga numri te vendimi, kur statistikat tregojnë ku duhet ndërhyrë

Sipas Doracakut të IKSHPK-së, të dhënat mundësojnë analizimin e incidencës dhe prevalencës, identifikimin e zonave ku shfaqen SKJ-të, përcaktimin e zonave ku duhen ndërhyrje dhe monitorimin e programeve të kontrollit.

Në OpEd-in “Nga statistikat te shëndeti: Kur numrat shpëtojnë jetë”, doktoresha Ardita Baraku argumenton se statistikat nuk janë fundi i analizës, por pikënisja e veprimit.

Dr. Ardita Baraku

Në nivel individual, ato ndihmojnë qytetarin të kuptojë rrezikun; në nivel komunitar, tregojnë ku nevojiten ndërhyrje; në nivel institucional, ndihmojnë planifikimin e shërbimeve dhe burimeve; ndërsa në nivel shtetëror mund të orientojnë politika publike.

Ministria e Shëndetësisë e sheh po ashtu si të rëndësishme lidhjen mes të dhënave të Kujdesit Parësor dhe politikëbërjes kombëtare. Sipas tyre, Kujdesi Parësor Shëndetësor është vendi ku sistemi shëndetësor ka kontaktin më të drejtpërdrejtë me popullatën.

Prandaj, të dhënat nga ky nivel mund të japin një informacion shumë të vlefshëm për nevojat reale të qytetarëve.

Këto të dhëna mund të ndikojnë në prioritetet, burimet, planifikimin e stafit dhe programeve parandaluese.

“Duhet të krijohet një cikël i vazhdueshëm: të dhënat nga terreni, analiza e tyre, bërja e politikave, ndërhyrja, matja e rezultateve, përmirësimi i politikës”, vlerëson Ministria e Shëndetësisë

Nga evidenca te praktika

Të dhënat nuk janë elementi i vetëm. Rëndësi kanë edhe udhëzuesit klinikë. Udhëzuesit dhe protokollet klinike janë shumë të rëndësishme, sepse krijojnë një standard të përbashkët për parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe përcjelljen e pacientëve

Por vetëm udhëzuesit nuk mjaftojnë.

Sipas MSh-së ata duhet të shoqërohen me trajnime të vazhdueshme të profesionistëve, furnizim të qëndrueshëm me barna dhe pajisje, sisteme funksionale të të dhënave dhe monitorim të zbatimit të tyre në praktikë.

Edhe shembujt nga përdorimi i të dhënave për kontrollin e duhanit, ushqyerjen e shëndetshme dhe planifikimin e skriningut të kancerit tregojnë se statistika mund të kalojë nga raporti në politikë publike.

Nga statistika te pacienti, kur një numër bëhet vendim

Qytetarja E.H., katër vite më parë, ishte paraqitur në QKMF pasi diçka nuk ishte në rregull me gjendjen e saj. Pas matjes së sheqerit në gjak, vlera ishte 24 mmol/L. Nga QKMF-ja u referua në QKUK, ku në Klinikën e Endokrinologjisë u diagnostikua me diabet tip 1 dhe trajtimi me insulinë filloi menjëherë.

Një matje e vetme nuk është statistikë kombëtare. Por ky rast tregon logjikën bazë: matja, identifikimi i problemit, referimi, diagnoza dhe trajtimi.

Në nivel të popullatës, mijëra të dhëna mund të tregojnë se ku është problemi, cilat grupe janë më të rrezikuara dhe ku duhet të përqendrohen ndërhyrjet.

Sfida është të bëhet sistemi proaktiv

Një sistem proaktiv nuk ka nevojë vetëm për më shumë të dhëna. Ka nevojë për të dhëna të sakta, të standardizuara dhe të përdorshme në kohë.

Rruga duhet të jetë e qartë: mbledhje, kontroll i cilësisë, analizë, interpretim, vendimmarrje, ndërhyrje dhe monitorim.

Një e dhënë e mbledhur në QKMF mund të çojë në diagnostikim të hershëm, mijëra të dhëna mund të tregojnë një trend, një trend i interpretuar saktë mund të tregojë një faktor rreziku, një faktor rreziku mund të çojë në një politikë parandaluese dhe një politikë e zbatuar dhe e monitoruar mund të ndryshojë rezultatet shëndetësore.

Kjo është arsyeja pse, siç argumenton Baraku në OpEd-in e saj, statistikat duhet të shihen si dëshmi, paralajmërim dhe udhërrëfyes për veprim.

Edhe Ministria e Shëndetësisë e sheh si të nevojshëm kalimin nga një model reaktiv në një model parandalues.

Në shëndetin publik, qëllimi nuk është vetëm të dimë sa njerëz janë të sëmurë. Qëllimi është të kuptojmë pse janë sëmurë, kush është në rrezik, ku duhet të ndërhyjmë dhe çfarë mund të bëjmë që nesër të jenë më pak.

Sepse vetëm kur numrat shndërrohen në veprim, statistikat fillojnë të shpëtojnë jetë. /Telegrafi/

Ky hulumtin është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.

true