Please enter at least 3 characters.

Sveçla i kundërpërgjigjet Ramës pas reagimit për raportet Kosovë-SHBA: Merru me Prishtinën

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas deklaratave të këtij të fundit për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rama kishte kritikuar situatën aktuale në raportet Kosovë-SHBA, duke ngritur shqetësime për pezullimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve dhe duke kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, Sveçla e ka kritikuar Ramën duke thënë se ai duhet të fokusohet në çështjet lokale dhe në qeverisjen e kryeqytetit.

“Përparim, bërllogun largoje. Dialogu strategjik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë për ty”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

Sipas tij, Rama nuk duhet të komentojë çështje të politikës së jashtme, por duhet të merret me problemet e qytetarëve të Prishtinës.

“Kryetar, lëri ligjëratat për politikën e jashtme. Merru me Prishtinën. Qytetarët nuk të kanë zgjedhur të komentosh marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Të kanë zgjedhur të qeverisësh Kryeqytetin”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka përmendur disa çështje që, sipas tij, janë përgjegjësi e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar veprime në menaxhimin e mbeturinave, ndriçimin publik, transportin dhe realizimin e projekteve kapitale.

“Largoje bërllogun. Largoji qentë endacakë. Ndriço rrugët dhe lagjet që vazhdojnë të mbesin në terr. Rregulloje transportin publik. Kryje ndonjë projekt kapital”, ka shkruar ai.

Sveçla ka akuzuar gjithashtu kryetarin Rama për mungesë llogaridhënieje lidhur me menaxhimin e Komunës së Prishtinës.

“E, para se të kërkosh llogari nga të tjerët, jep llogari vetë. Për raportin e Auditimit. Për milionat e taksave të prishtinalive të keqmenaxhuara. Për abuzimet me buxhetin e Kryeqytetit. Për shkeljet ligjore dhe dëmin që i ke shkaktuar Prishtinës”, ka pretenduar Sveçla.

Në fund, ai ka deklaruar se Prishtina nuk ka nevojë për, siç është shprehur ai, “diplomaci në Facebook”.

“Ti je njeriu i fundit që mund të flasë për përgjegjësi shtetërore, ndërkohë që vazhdon t’i ikësh përgjegjësisë për qeverisjen tënde. Prishtina nuk ka nevojë për një kryetar që bën diplomaci në Facebook. Kfillu, Përparim”, ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/