“Spastruesja etnike” e Kosovës, Paunoviq, nuk bëhet pishman, mbron SPS-në dhe Millosheviqin
Ministrja serbe që do të donte të kryente spastrim etnik të shqiptarëve nga Kosova më 1998, Snezhana Paunoviq, nuk është bërë pishman për këtë deklaratë që bëri një ditë më parë në një intervistë për Kurir në Beograd.
Ajo ka reaguar, të martën, me një deklaratë me shkrim, pasi një pjesë e opozitës dhe organizatave joqeveritare në Serbi, kërkuan dorëheqjen e saj të menjëhershme për shkak të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovë.
Në këtë deklarata, Paunoviq, që ka lindur në Pejë më 1975, nuk e përmendi sërish spastrimin etnik, por tha se nuk heq dorë as nga vetja dhe as nga Partia Socialiste e Serbisë, e njohur nga shqiptarët e Kosovës, sidomos në vitet 90 të shekullit të kaluar, si SPS, subjekt politik që kishte për kryetar Sllobodan Millosheviqin..
“Publiku ka të drejtë ta dijë të vërtetën, prandaj dua të largoj çdo dyshim lidhur me deklaratat e mia në mbështetje të politikës së SPS-së në vitet ’90, të cilat, përmes interpretimeve të ndryshme, u shndërruan në propagandë kundër meje dhe vetë temës. Nuk është hera e parë, e ndoshta as e fundit, kur bëhet fjalë për SPS-në. Serbia është shtëpia ime, ndërsa SPS është dhoma ime në atë shtëpi. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të mbetet përgjithmonë”, deklaroi Paunoviq, transmeton Danas, përcjellë Kosovapress. “Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana historike jashtëzakonisht të vështira, partia që bëri sakrifica të mëdha, partia emri i së cilës përmendej më së shumti në Hagë, partia që nuk iu lut askujt për asgjë për të mbetur krenare dhe besnike ndaj ideve të saj”.
Ministrja për Vetëqeverisje Lokale në Beograd insistoi se nuk heq dorë e nuk bëhet pishman as nga strategjitë e partisë së saj SPS, në të cilën është nënkryetare, të cilat, sic tha, ishin zgjedhur për rrethanat e “kryengritjes së armatosur në një pjesë të shtëpisë që quhet Serbi”, sic iu referua ajo Kosovës për periudhën e viteve 1998-1999.
Paunoviq vlerësoi se reagimet ndaj deklaratave të saj janë një rast i mirë për dialog me ata që kanë qëndrime të ndryshme.
“Mendoj se propaganda e krijuar rreth deklaratës sime është një rast i shkëlqyer për dialog me të gjithë ata që kanë një qëndrim tjetër, të cilin natyrisht kanë të drejtë ta kenë, dhe që mendojnë se unë nuk guxoj të shpreh një qëndrim pozitiv për politikën e SPS-së në vitet ’90. Guxoj. Dhe e kam bërë. Sepse jam socialiste që e thotë të vërtetën nga e cila shumëkush ka frikë dhe paraqet fakte që të tjerët do të donin t’i mohonin”, tha ajo./KP/


