Please enter at least 3 characters.

Sorensen në Kosovë, takohet me Kurtin e Osmanin

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, po qëndron sot për vizitë në Prishtinë.

Ai mëngjesin e sotëm ka zhvilluar takime me udhëheqësit institucionalë të vendit.

Sorensen u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ndërsa më pas u prit nga presidentja Vjosa Osmani në zyrën e saj.

Nuk janë paralajmëruar deklarata për media pas këtyre takimeve. Gjatë ditës, ai pritet të takohet edhe me përfaqësues të opozitës kosovare.

Pas vizitës në Prishtinë, emisari evropian do të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqësit e Serbisë.

Vizita e Sorensenit vjen në një kohë kur Kosova është në pritje të formimit të institucioneve të reja shtetërore, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat u fituan bindshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.

Kjo është vizita e parë e Sorensenit në Kosovë që nga vazhdimi i mandatit të tij edhe për dy vjet si i dërguar i posaçëm për dialogun.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, pa rezultate konkrete, ndërsa mungesa e përparimit në dialog iu atribua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi. /Telegrafi/