Please enter at least 3 characters.

Shitja opsion serioz, Real Madridi pas Kupës së Botës do të vendosë për Vini Jr

Sipas raportimeve të Diario AS, Real Madridi do t’i rikthehet bisedimeve për rinovimin e kontratës së Vinicius Junior pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa marrëveshja aktuale e brazilianit skadon vitin e ardhshëm.

Negociatat mes palëve kanë mbetur të bllokuara për shkak të kërkesave të larta financiare të yllit brazilian, të cilat drejtuesit e klubit madrilen nuk janë të gatshëm t’i plotësojnë në këto kushte.

Megjithatë, “Los Blancos” dëshirojnë ta zgjidhin situatën sa më shpejt dhe janë të hapur të shqyrtojnë alternativa të tjera nëse nuk arrihet një marrëveshje, përfshirë edhe mundësinë e shitjes së lojtarit.

Vinicius, i cili aktualisht po shkëlqen me Brazilin në Kupën e Botës, nuk e përjashton mundësinë e qëndrimit deri në përfundimin e kontratës së tij, por Real Madridi dëshiron ta shmangë një skenar të tillë.

Klubi madrilen është i vetëdijshëm se humbja e një futbollisti të kalibrit të Vinicius si lojtar i lirë do të ishte një goditje e madhe, sidomos duke marrë parasysh se ai ka ende shumë vite karrierë përpara.

Të dyja palët mbeten të interesuara për të vazhduar bashkëpunimin edhe për disa vite të tjera, por dallimet kontraktuale dhe financiare vazhdojnë të jenë pengesa kryesore në negociata.

25-vjeçari ka nisur në mënyrë të shkëlqyer Kupën e Botës 2026, duke realizuar dy gola dhe duke dhuruar një asistim në dy ndeshjet e para me kombëtaren braziliane./Telegrafi/