Sheikha Moza, në moshën 65-vjeçare, mahniti në ekspozitën e dedikuar modës
E njohur për modën e saj të rafinuar dhe modestie elegante, Moza dukej e mrekullueshme me fustanin që mbulon të gjithë trupin: Shtoi një çantë të tillë dhe e ngriti pamjen në një nivel më të lartë
Në ekspozitën e dedikuar industrisë së modës dhe dizajnit, e mbajtur në qendrën kulturore M7 në Doha, u shfaq edhe Moza bint Naser al-Misned, bashkëshortja e ish-emirit të Katarit dhe një figurë e njohur si në jetën politike, ashtu edhe në atë publike dhe të modës të Katarit.
Për këtë rast, Sheikha Moza kishte veshur një fustan të gjatë blu me prerje të mbyllur dhe me një print të zbehtë me lule nga dizajnerja Ulyana Sergeenko.
Fustani e mbulonte tërësisht trupin, përfshirë edhe jakën e lartë me një detaj të bardhë prej dantelle. Mbi të kishte veshur një mantel në të njëjtën nuancë të kaltër, ndërsa flokët i kishte mbuluar me një shall të kombinuar me kujdes me pjesën tjetër të veshjes, transmeton Telegrafi.
Në duar mbante një çantë me print abstrakt në një ngjyrë kontrastuese, e cila vizualisht e theu tonalitetin e kombinimit, e ngriti pamjen në një nivel më të lartë dhe i shtoi një notë bashkëkohore të gjithë paraqitjes. Stili ishte në përputhje me paraqitjet e saj të mëparshme publike: karakteristikisht i përmbajtur, i harmonizuar dhe i menduar me kujdes.
Sheikha Moza, familja e së cilës në vitin 2012 u bë edhe pronare e shtëpisë italiane të modës Valentino, shpeshherë shfaqet në publik e veshur me rroba të shtëpive prestigjioze të modës si Chanel, Dior dhe Jean Paul Gaultier. Interesimi i saj për modën është pjesë e angazhimit të saj më të gjerë shoqëror, në të cilin lidh kulturën, arsimin dhe identitetin.
Pjesëmarrja e saj në ekspozitën M7, e cila promovon sektorin krijues, interpretohet si mbështetje për modën bashkëkohore katariote dhe dizajnerët e rinj.
/Telegrafi/


