Please enter at least 3 characters.

SHBA i kërkon Evropës dhe Kanadasë të forcojnë forcat ajrore dhe detare të NATO-s

SHBA-të presin që aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja të rrisin me shpejtësi numrin e aeroplanëve dhe anijeve me dhe pa pilot që kontribuojnë në planet mbrojtëse të aleancës, sipas një gjenerali të lartë amerikan.

Deklarata e gjeneralit të Forcave Ajrore Amerikane, Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s dhe kreu i forcave amerikane në Evropë, pasoi një vendim të administratës Trump për të zvogëluar kapacitetet ushtarake amerikane në dispozicion të NATO-s në rast krize.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kritikuar vazhdimisht NATO-n dhe u ka thënë anëtarëve të saj evropianë se do të duhet të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit.

Raportohet se SHBA-të u thanë aleatëve muajin e kaluar vendimin e tyre për të zvogëluar kontributin e tyre në një kuadër të njohur si Modeli i Forcës së NATO-s, i cili përfshin një grup forcash që mund të aktivizohen gjatë një krize.

SHBA-të nuk i zbuluan publikisht detajet e reduktimeve të planifikuara.

Por ato përfshijnë shkurtime në një gamë të gjerë aftësish, duke përfshirë furnizimin me karburant të aeroplanëve, aeroplanëve luftarakë, dronëve dhe anijeve të marinës, sipas shifrave të dhëna për Reuters nga një burim ushtarak.

Burimi, duke folur në kushte anonimiteti, tha se SHBA-të nuk kishin specifikuar se kur asetet nuk do të ishin më në dispozicion të NATO-s.

Por deklarata e Grynkewich, e lëshuar pas një takimi të planifikuesve ushtarakë të NATO-s të mërkurën, ishte treguesi i parë publik se në cilat fusha SHBA-të planifikojnë të shkurtojnë kontributin dhe ku pret që aleatët të ndërhyjnë.

“Aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare janë dy fusha ku Kanadaja dhe aleatët evropianë mund të ndërmarrin hapa tani dhe në afat të shkurtër - ndërsa Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë forcat, sipas Modelit të Forcës së NATO-s në Evropë dhe i rifokusojnë ato diku tjetër", tha ai.

"Ka pasur një bashkëvarësi të pashëndetshme në Modelin e Forcës së NATO-s nga forcat amerikane", shtoi Grynkewich në deklaratën e tij.

"Presidenti Trump, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë, dhe do të ndryshojë. Realiteti i mundshëm i konfliktit të njëkohshëm në teatro të shumëfishta e kërkon këtë", vazhdoi gjenerali. /Telegrafi/