SHBA dërgon dhjetëra aeroplanë cisternë në Izrael, Uashingtoni përgatit përshkallëzim të luftës me Iranin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se kanë njoftuar Izraelin se do të dërgojnë dhjetëra aeroplanë shtesë cisternë për furnizim me karburant në ajër, ndërsa presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e një fushate të re të madhe bombardimesh ndaj Iranit.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, të cituar nga Axios, lideri amerikan mund të intensifikojë sulmet ndaj Iranit gjatë ditëve në vijim.
Aktualisht, në Aeroportin Ben Gurion ndodhen 33 aeroplanë amerikanë cisternë për furnizim me karburant në ajër. Sipas raportit, prania e tyre ka shkaktuar mbingarkesë në aeroport dhe ka kufizuar hapësirën për avionët që kryejnë fluturime komerciale.
Ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev, kishte deklaruar më herët gjatë kësaj jave se numri i këtyre aeroplanëve duhej të reduktohej në 20, me qëllim që të shmangeshin ndërprerjet në trafikun ajror gjatë sezonit veror.
Raporti thekson gjithashtu edhe dimensionin politik të çështjes. Regev ka propozuar që aeroplanët ushtarakë amerikanë të ulen në bazat ushtarake izraelite, por CENTCOM, Komanda Qendrore e SHBA-së për Lindjen e Mesme, thuhet se preferon infrastrukturën dhe qasjen që ofron Aeroporti Ben Gurion.
Në një pjesë të raportit, Axios shkruan se SHBA-ja e ka "njoftuar" Izraelin për mbërritjen e aeroplanëve shtesë, duke lënë të kuptohet se Jerusalemi nuk ka fjalën vendimtare në këtë çështje.
Megjithatë, më vonë në të njëjtin raport thuhet se kryeministri Benjamin Netanyahu do të ketë fjalën e fundit për këtë vendim.
Ndërkohë, sipas një raporti pa autor të publikuar nga portali Ynet, aeroplanët shtesë amerikanë që pritet të mbërrijnë në Izrael nuk do të ulen në Aeroportin Ben Gurion. /Telegrafi/


