Please enter at least 3 characters.

Sezoni turistik në Sarandë, Policia prezanton prioritetet: Siguria nuk negociohet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, inspektoi nga afër zbatimin e masave të posaçme për sezonin turistik në Sarandë.

Drejtori Proda zhvilloi një takim me forcat policore të angazhuara në terren, të cilët i falënderoi për përkushtimin dhe u dha porosi të qarta.

“’Siguria është pasaporta jonë’ për qytetarët, vizitorët dhe turistët, ndaj kërkohet më shumë angazhim, profesionalizëm dhe kujdes për çdo pushues e turist, me qëllim që këtë sezon të kemi parametra sigurie akoma më të larta se më parë.

Plazhet dhe perimetri i sigurisë të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, përmes dronëve, patrullave me biçikleta përgjatë vijës bregdetare, njësisë policore detare dhe Policisë Kufitare. Asnjë tolerim ndaj atyre që cenojnë perimetrin e sigurisë për pushuesit”, tha ai.

Tutje, drejtori kërkoi edhe kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese, për dokumentacionin, kapacitetin dhe masat e sigurisë (jelekët e shpëtimit) si dhe zero tolerancë për zaptimin e hapësirave publike.

“Parandalimi i ndotjes akustike kërkon reagim të menjëhershëm ndaj shqetësimeve të qytetarëve, jo vetëm në zonat bregdetare, por në të gjithë vendin. Policia Kufitare të marrë masa për shtimin e sporteleve në raste fluksi, me qëllim shmangien e radhëve dhe garantimin e kontrollit efektiv për parandalimin e krimeve ndërkufitare”, tha ai.

Sipas tij, siguria rrugore është prioritet.

Punonjësit e Policisë janë pika e parë e kontaktit me vizitorët dhe turistët, ndaj duhet të jenë model në sjellje, komunikim dhe shërbim, për të përçuar besim dhe imazh pozitiv te qytetarët dhe vizitorët”, tha ai. /Telegrafi/