Serbia toleron trafikantët me kosovarë
“Asnjë nga shtetet e BE -së deri më tani nuk ka njoftuar për numrin e kosovarëve që kanë kërkuar azil”, thotë për “Zërin”, Behar Haziraj, nga Zyra e Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Zyrtarë të kësaj Ministrie kanë thënë se megjithatë janë arrestuar disa persona, të cilët janë marrë me kontrabandim të emigrantëve, jo vetëm me kufirin me Serbinë, por edhe në pjesët e tjera të kufirit të Kosovës. “Gjatë vitit 2014 nga sektori i hetimeve janë ushtruar 65 kallëzime penale, ndaj 202 personave për kontrabandë me emigrantë”, ka thënë zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Behar Haziraj.
Sipas tij, në pikat e kalimit të kufirit të Kosovës ndalohen si në hyrje, ashtu edhe në dalje të gjithë personat, të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje në Kosovë. Me gjithë ndalesat policore për personat, që nga Kosova tentojnë të kalojnë në Serbi me qëllim të emigrimit, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme thonë se kriteret e kalimit të kufirit janë standarde për të gjithë personat, të cilët kalojnë kufirin e Kosovës.
“Nuk ka kritere individuale”, thotë Haziraj.
Por, një police në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë ka thënë, në kushte anonimiteti, se kanë urdhër që t’i ndalojnë të gjithë personat që policët kufitarë e vlerësojnë se janë duke kaluar transit nëpër Serbi, me qëllim emigrimi.
“I lejojmë të kalojnë vetëm ata që shkojnë për Preshevë dhe Bujanoc, tek të afërmit e tyre”, ka thënë kjo police.
Në anën tjetër, Florian Qehaja, analist për çështje të sigurisë, thotë se nuk ka dilemë se ky fluks në rritje i qytetarëve që synojnë në formë ilegale vendet e Evropës reflekton gjendjen fragjile ne vend.
“Kjo tregon, para se gjithash, që shteti është i brishtë sepse nuk është në gjendje t’i kontrollojë dhe menaxhojë hyrje-daljet me qëllime ilegale”, ka thënë Qehaja.
Në fakt, sipas tij, dobësitë në menaxhimin e lëvizjeve të tilla përbëjnë një nga elementet bazë të shtetndërtimit bashkëkohor dhe si rrjedhojë shërben si kriter i qartë i politikave të sigurisë së brendshme të secilit shtet në Evropë. “Sigurisht se duke e pasur parasysh këtë fluks, lypset angazhimi i organeve të rendit në dekonspirimin e organizatorëve”, thotë Qehaja.
Megjithatë, gazetarët e “Zërit” gjatë një hulumtimi në Suboticë kanë arritur të detektojnë vetura me targa të Kosovës, por edhe të Serbisë, me të cilat operojnë trafikantët. Ato vetura përdoren me qëllim të trafikimit të njerëzve dhe nuk pengohen nga shteti serb.
Ndërsa, Behar Haziraj, nga Ministria e Brendshme, thotë se Ligji për Kontrolle me Mbikëqyrje të Kufirit përcakton standardet e kontrollimit kufitar dhe ky ligj është në pajtueshmëri të plotë me standardet e Kodit të Schengenit.
Albana Merja, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë, thotë se ndalimi i migrimit të paligjshëm është një ndër kërkesat kryesore për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.
Procesi i gjatë dhe kompleks i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) mbart me vete një mori problematikash, vlerëson ndërkaq ministri kosovar i Integrimeve, Bekim Çollaku.
Në një shkrim të shkruar për gazetën “Zëri”, ministri i Integrimeve Evropiane ka sqaruar se njëra nga problematikat që atë po e shoqëron që nga dita e parë e punës, është migrimi ilegal. “Në rastin e Kosovës, dy çështje, të cilat mund të konsiderohen si kyçe të këtij problemi, janë gjendja e rëndë socio-ekonomike dhe mungesa e liberalizimit të vizave. Përderisa adresimi i së parës do të marrë edhe shumë vite, kjo nuk duhet të ndodhë për çështjen e dytë”, ka thënë ministri Çollaku.
Ai mohon kategorikisht që migrimi ilegal po ndodh për shkak se ende nuk janë liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës, të cilët dëshirojnë të udhëtojnë në vendet e ndryshme të BE-së.
Derisa në Paliç dhe Suboticë, trafikantë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Serbia janë bërë bashkë për të përfituar nga migrimi i kosovarëve, autoritetet serbe kanë mbyllur sytë karshi kësaj problematike.
Për një javë rresht, gazeta “Zëri” ka pritur një përgjigje nga autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në lidhje me parandalimin e trafikimit dhe goditjen e rrjeteve të trafikimit. Mirëpo, nga Qeveria e Serbisë nuk ka pasur as edhe një reagim e as përgjigje në një varg pyetjesh të adresuara nga gazeta “Zëri”.
E analisti i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, vlerëson se krahas mobilizimit të brendshëm të organeve të rendit, duhet që të punohet më shumë në rrafshin e qasjes ndaj Serbisë. “Sepse indikacionet janë të qarta se qarqet e sigurisë në Serbi janë duke e lehtësuar apo, në rastin më të ulët, mbyllur sytë në raport me trafikantët dhe organizimet e tilla”, ka thënë Qehaja.
Ai ka thënë se informacionet e sakta, që i posedon, tregojnë që kalimet ilegale në kufirin e gjelbër dhe atë ujor, përmes lumit Tisa, bëhen në pjesët ku potencialisht kontrollohen nga Policia serbe. “Serbisë do t’i konvenonte që Kosova të paraqitet me këto probleme në aspektin diplomatik dhe argumentet e saj për dobësitë e shtetndërtimit do ta forconin pozicionin e saj”, thotë Qehaja.
Ai konsideron se kjo temë duhet të shtrohet mbase edhe në dialogun në Bruksel, sepse vetë fakti që mungon bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacioneve në mes dy policive, ndikon direkt në një situatë të tillë. “Kosova e ka të vështirë ta luftojë këtë formë të organizuar në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Qehaja.
E ministri kosovar i Integrimeve, Bekim Çollaku, thotë se e vërteta është se një gjë e tillë iu shkon për shtati më së shumti trafikuesve dhe kriminelëve të organizuar që po e orkestrojnë këtë proces. “Për trafikantët sa më shumë zhurmë bëhet se ‘të gjithë po dalin’, aq më shumë do të ketë migrues ilegalë dhe përfitime të mundshme për ta”, ka thënë ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku.
Por, Qehaja në anën tjetër, thotë se këtu duhet të ketë një sinkronizim në mes të Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sepse informacionet e kësaj Agjencie janë esenciale në luftimin e këtij fenomeni. /Zëri/


