Selmani: Blerjet nuk sigurojnë suksesin
Ato klube që patën para në verë për të blerë futbollistë, po shihet se kanë edhe në dimër. Prishtina, Hajvalia e Besa, ishin tri skuadrat që harxhuan më së shumti gjatë afatit kalimtar verorë, duke u përforcuar me futbollistë cilësorë. E skuadrat e njëjta e kanë vazhduar avazin e vjetër edhe në dimër, duke bërë blerje të reja për stinorin pranveror. Deri më tani, Prishtina ka treguar se ka para të ‘fshehura’ për transferime, ndërkaq nuk ka për t’i paguar futbollistët që dy muaj dhe trajnerët e shkollës së futbollit, gati që shtatë muaj.
Në një bisedë për ‘Sport Plus’, trajneri i njohur kosovar, Agron Selmani që aktualisht nuk është duke e drejtuar asnjë skuadër, ka thënë se edhe përkundër blerjeve të shumta që të ekipeve kanë bërë ato nuk e sigurojnë suksesin. Sipas tij, nëse Ferronikeli arrin të ruajë kompaktësinë e lojës, shumë lehtë mund të ndodhë që të rrëmbej titullin.
“Përgatitja e ekipit dhe ndërtimi i një formacioni pak më ndryshe është një proces që do kohë, suksesi mund të ndodhë shumë shpejt, por edhe mund të ndodhin kriza në vazhdimësinë e lojës apo të formës sportive. Të gjitha këto ekipe janë me gjasa dhe me të drejtë synojnë kreun dhe titullin, por unë dua të vlerësoj diçka tjetër, nëse ekipi i Ferronikelit ruan kompaktësinë e lojës dhe të lojtarëve, nëse arrin të sjell edhe ndonjë lojtar që do ta përmirësonte lojën ofensive dhe të mos jetë aksent vetëm loja në tarnsformime, atëherë ky ekip edhe mund të ia dal në këtë konkurrencë të fortë të jetë i pari sepse do të vazhdojë një proces të punës dhe nuk ia fillon nga e para”, u shpreh Selmani. /Telegrafi/


