Please enter at least 3 characters.

Rutte: NATO mbetet e angazhuar në Kosovë

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ritheksuar përkushtimin e Aleancës ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur konkretisht Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në një konferencë për media të mbajtur në kuadër të Samitit të NATO-s në Hagë, Rutte u pyet nga një gazetar mbi mungesën e përmendjes së rajonit në deklaratën përfundimtare të samitit.

Ai theksoi se angazhimi i NATO-s në Ballkan vazhdon, duke veçuar rolin e trupave paqeruajtëse në Kosovë dhe Bosnje.

“NATO vazhdon të jetë e fokusuar në rajon përmes pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë”, tha Rutte.

Ai bëri të ditur se ka vizituar personalisht rajonin dhe është takuar me liderët lokalë, si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje, për të thelluar bashkëpunimin.

“Jemi shumë të involvuar si NATO, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka një angazhim të theksuar. Koordinohemi ngushtë me Kaja Kallas dhe Ursula von der Leyen”, u shpreh Sekretari i NATO-s.

Duke përmbyllur përgjigjen e tij, Rutte tha se situata në rajon nuk ka ndryshuar në mënyrë të tillë që të kërkojë tërheqje të vëmendjes ndërkombëtare: “Ne vazhdojmë të jemi aty, asgjë s’ka ndryshuar”./Telegrafi/