Romelu Lukaku mesazh tifozëve pas paraqitjeve zhgënjyese të Belgjikës në Botëror
Sulmuesi i Belgjikës, Romelu Lukaku, nuk e fshehu zhgënjimin pas barazimit 0-0 ndaj Iranit në raundin e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026.
Është barazimi i dytë radhazi për skuadrën belge, që nuk arritën fitore as ndaj Egjiptit.
“Zhgënjimi është i madh, gjë që është normale. Krijuam shumë raste, por topi thjesht nuk donte të hynte në portë. Duhet ta analizojmë me kujdes këtë ndeshje; luajtëm me shumë emocione”, deklaroi Lukaku pas përfundimit të takimit.
Sulmuesi belg pranoi se skuadra nuk arriti të ruante qetësinë në momentet vendimtare të sfidës.
“Kishim një plan, por nuk arritëm të qëndronim të qetë në momentet kyçe. Jam i lumtur që luajta më shumë se një orë, por jo me rezultatin. Duhet ta fitojmë ndeshjen e ardhshme”, shtoi ai.
Belgjika pati disa mundësi të mira për të gjetur golin e fitores, por mungesa e saktësisë para portës bëri që ndeshja të mbyllej pa gola.
“Djajtë e Kuq” tani do të kërkojnë reagim në përballjen e radhës kundër Zelandës së Re, e cila zhvillohet më 27 qershor, në një takim që mund të jetë vendimtar për fatin e tyre në këtë Botëror./Telegrafi/


