Roger Federer hyn për herë të parë në listën e miliarderëve të Forbes
Tenisti zviceran legjendar, Roger Federer, ka arritur një tjetër arritje pas karrierës së tij të suksesshme: për herë të parë është renditur në listën e miliarderëve të revistës amerikane Forbes.
Federer, 44 vjeç, renditet në vendin e 3185-të me një pasuri neto prej rreth 1.1 miliardë dollarësh.
Federer arriti statusin e miliarderit verën e kaluar, sipas agjencisë amerikane Bloomberg, e cila vlerësoi pasurinë e tij në 1.3 miliardë dollarë në qershor 2025. Në listën zvicerane të 300 më të pasurve për vitin 2025, Federer renditet në vendin e 138-të.
Burime kryesore të pasurisë, sponsorët dhe investimet
Përtej sukseseve në fushën e tenisit, Federer ka ndërtuar shumicën e pasurisë së tij nga kontratat me sponsorë të njohur. Ai ka bashkëpunuar me marka prestigjioze si Rolex, Lindt & Sprüngli dhe Credit Suisse.
Më i lakmueshmi ka qenë kalimi i tij nga Nike te kompania japoneze Uniqlo në 2018, një kontratë që do të vlejë deri në 2028 dhe që pritet t’i sjellë Federer rreth 240 milionë dollarë.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e pasurisë së tij është investimi në markën zvicerane të këpucëve On. Federer bleu 3% të aksioneve në 2019, që aktualisht vlerësohen rreth 400 milionë dollarë, bazuar në kapitalizimin e tregut prej 13.6 miliardë dollarësh.
Miliarderët më të pasur të sportit
Megjithatë, Federer nuk është sportisti më i pasur. Legjenda e basketbollit, Michael Jordan, është renditur në vendin e 984 me një pasuri prej 4.3 miliardë dollarësh, të cilën e arriti disa vjet pas përfundimit të karrierës së tij, po ashtu si Federer.
Përveç Federer, basketbollisti LeBron James, ylli i golfit Tiger Woods, futobollisti Cristiano Ronaldo dhe legjenda e boksit Floyd Mayweather janë shpallur miliarderë.
Kjo është një dëshmi tjetër e ndikimit të jashtëzakonshëm të Federer në botën e sportit dhe biznesit. /Telegrafi/


