Please enter at least 3 characters.

Rockstar bën gjest human - lojtar i sëmurë rëndë provon GTA VI para daljes

Ndërsa miliona lojtarë në mbarë botën po presin me padurim premierën e lojës Grand Theft Auto VI në vjeshtën e vitit 2026 - projekti më ambicioz i industrisë së videolojërave - Rockstar Games ka treguar edhe njëherë anën njerëzore të saj.

E gjithë historia filloi me një apel publik nga Anthony Armstrong, një zhvillues nga Ubisoft Toronto, i cili përmes LinkedIn i është drejtuar drejtuesve të Rockstar‑it. Një anëtar i afërt i familjes së tij, i cili ka luftuar me kancerin për vite me radhë, ka marrë një parashikim jetësor prej vetëm disa muajsh - që do të thotë se ka pasur shumë pak shanse të përjetojë daljen zyrtare të GTA VI.

Armstrong kërkoi që t’i jepet familjarit të tij - një fans i devotshëm i kësaj serie video-lojërash - mundësia të shohë dhe të luajë pak nga loja para prezantimit zyrtar, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e konfidencialitetit.

Falë mbështetjes së madhe nga komuniteti, postimi i tij arriti te njerëzit e duhur. Sipas informacioneve të fundit, Shtraus Zelnick, CEO i Take‑Two Interactive (kompania nënë e Rockstar‑it), e kontaktoi Armstrong‑in dhe i dha lajme të mira — dhe është arritur një marrëveshje për këtë mundësi të veçantë. Armstrong më pas fshiu postimin për të mbrojtur privatësinë e familjes së tij.

Ky nuk është rasti i parë kur Rockstar bën një gjest të tillë për ndonjë fan. Një situatë e ngjashme ishte edhe me Red Dead Redemption 2 në vitin 2018, kur një fan i sëmurë rëndë mori mundësinë të testojë lojën para daljes në shitje.

Kujtojmë se data zyrtare e daljes së GTA VI është planifikuar për nëntor 2026 për PlayStation 5 dhe Xbox Series X/S, ndërsa versioni për PC pritet të vijë pak më vonë. /Telegrafi/