Rizvanolli: Mbi 2.2 milionë euro investime për përmirësimin e furnizimit me ujë në Podujevë dhe disa fshatra
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe KRU "Prishtina" do të investojnë mbi 2.2 milionë euro për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në Podujevë dhe zgjerimin e rrjetit në disa fshatra të kësaj komune.
Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka njoftuar se Ministria e Ekonomisë ka ndarë 1.22 milion euro për këtë projekt, ndërsa KRU "Prishtina" do të kontribuojë me mbi 1 milion euro shtesë.
"Për furnizim më të rregullt me ujë në Podujevë dhe zgjerim të rrjetit në fshatra, Ministria e Ekonomisë ka ndarë 1.22 milion euro, ndërsa KRU 'Prishtina' do të ndajë mbi 1 milion euro", ka shkruar ajo.
Sipas saj, nga ky investim do të përfitojnë rreth 27.500 banorë të një pjese të qytetit të Podujevës, si dhe banorët e fshatrave Llapashticë, Katunishtë, Gllamnik, Dumosh, Sfeçël, Livadicë, Ballovc, Lladovc dhe Surkish.
"Me këtë investim përfitojnë rreth 27.500 banorë në një pjesë të qytetit të Podujevës dhe të fshatrave Llapashticë, Katunishtë, Gllamnik, Dumosh, Sfeçël, Livadicë, Ballovc, Lladovc e Surkish", ka theksuar Rizvanolli.
Ajo ka bërë të ditur se projekti parasheh ndërtimin dhe zgjatjen e linjave të reja të ujësjellësit, përmirësimin e presionit në rrjet, zvogëlimin e humbjeve teknike dhe rritjen e cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm.
"Do të ndërtohen dhe zgjaten linja të reja të ujësjellësit, do të përmirësohet presioni në rrjet, do të zvogëlohen humbjet teknike dhe do të rritet cilësia e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët", ka deklaruar ministrja në detyrë e Ekonomisë. /Telegrafi/


